Tërmeti i nëntorit 2019 i prishi shtëpinë, qytetarit nga Miloti nuk i miratojnë dëmshpërblimin

Inertet dhe pluhuri që kanë mbuluar ambientet e brendshme të shtëpisë së Fatmir Haxhiut në Milot, janë dëshmi e dëmit që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.

Muret e çara, dhe pasiguria e ndërtesës kanë bërë që Fatmiri të jetojë prej rreth një viti e gjysmë në çadra e kasolle, ndërsa familjarët e tij të shkojnë tek të afërmit e tyre.

"Në datën 26 nëntor që ka rënë tërmeti në 03:50, unë kam qenë brenda në divan, ka luajtur dhe kam dalë jashtë," thotë ai.

I zoti i shtëpisë rrëfen problemet me procesin e rindërtimit, pasi kërkesa e tij për dëmshpërblim ende nuk është miratuar.

"Të më jepet e drejta e shembjes së shtëpisë, ose të rindërtohet, ose të më japin lekët ta rindërtoj unë në tokën time ku e kam me vijë të verdhë, certifikatë të verdhë në pronësinë time familjare. E kam marrë e kam me vete dhe duhet të më kishin thirrur dhe mua si të tjerët. Unë jam i pari dhe dal i fundit tani," thotë ai.

Bashkia e Kurbinit pas interesimit të Ora News, deklaroi se ende nuk është  miratuar kërkesa e tij  Fatmirit dhe presin konfirmime nga digasterët qendrore.