Tiranë/ Piketonin banesat e të pasurve e i vidhnin, grupi i grabitësve vepronte dhe në Greqi e vendet e BE
Një bandë prej 5 personash të akuzuar për grabitjen e vilave luksoze në zonën e Saukut është arrestuar në një operacion dy ditor të policisë.
Të dyshuarit ishin nën hetim për vjedhje banesash dhe nje sërë veprash të tjera penale ndërkohë që u arrestuan në flagrancë ku sapo kishin grabitur banesën e radhës. Njëri prej anëtarëve të grupit rezulton i dënuar përjetë në Greqi.
Tirane- Pesë persona të akuzuar për vjedhje në vilat luksoze në periferi të kryeqytetit u arrestuan nga policia e tiranës gjatë operacionit Start and Stop.
Policia tha se Dorjan Lamani, i njohur edhe me mbiemtin (Qirjazi), 38 vjeç, Klodian Çypi, 34 vjeç, Halil Topalli, 29 vjeç, Redian Begaj, 32 vjeç dhe Dajvid Dosti, 21 vjeç u kapën në flagrancë sapo kishin grabitur një banesë në zonën e Saukut.
"Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, pasi siguronin informacione dhe piketonin banesa ku kishte shuma parash dhe bizhuteri, organizonin dhe kryenin vjedhjen e tyre. Ky grup dyshohet të ketë kryer veprimtari kriminale edhe në disa vende të BE-së." informon policia.
Të arrestuarit
Policia e Tiranës informon se 5 pjesëtarët e grupit kriminal janë persona me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së pronës.
Policia dyshon se ky krup kriminal ka kryer edhe disa vjedhje të tjera jo vetem në kryeqytet, ndërkohë që 4 prej të arrestuarve janë përsona me precendet penal si vjedhje dhe kultivim të lëndeve narkotike.
Dorjan Lamani i cili përdor edhe mbiemrin Qirjazi ka precedent penalë në greqi pasi gjykata atje e ka dënuar me burgim të përjetshëm dhe pritet që policia shqiptare të bashkëpunojë më homologët për të dokumnetuar aktivitetin e tij kriminal jashtë vendit.
Në kuadër të operacionit “START & STOP” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Dorjan Lamani (Qirjazi), 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;
Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;
Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për "Kanosja" dhe "Kundërshtimi i punonjësve të Policisë";
Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe "Moskallëzim krimi";
Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B. S., të kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Sekuestrohen sendet e vjedhura dhe radio policie
Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarjeje janë sekuestruar prova materiale si armë zjarri, vlera monetare, bizhuteri, radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe telefona celular, konkretisht:
1 armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë;
17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit,
Bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë etj,
3 palë çelësa automjetesh, njëri prej të cilit dyshohet të jetë vjedhur në banesën e shtetasit A. N., ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020,
1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.
Vjedhje të tjera
Nga puna e bërë deri tani rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, janë autor të dyshuar dhe të vjedhjes së banesës së shtetasit A. N., në rrugën ‘Xhanfize Keko”, ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020, ku janë vjedhur 40.000 lekë dhe automjeti i tij.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë të përfshirë këta shtetas.
Nëpërmjet Interpol Tiranës po bashkëpunohet edhe me disa vende të BE-së, për të dokumentuar aktivitetin kriminal të këtyre personave në Greqi dhe vende të tjera të BE-së.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” e kryer në bashkëpunim “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.