Kontejneri me 143 kg kokainë në portin e Durrësit, arrest me burg për dy administratorët e arrestuar
Gjykata vendosi të mbajë në qeli Erion Petin dhe Klajdi Xibrakun, të arrestuar për ngarkesën me 143 kilogramë kokainë të sekuestruar në një kontejner me banane në Portin e Durrësit.
Kushërinjtë bashkëpronarë të kompanisë "Masabi Fruits", që priste ngarkesën, mohuan të kenë lidhje me tentativën e trafikut të drogës.
“Nuk kemi asnjë lidhje me drogën, ne kemi porositur vetëm banane”, citohet të ketë qenë qëndrimi i tyre para gjyqtares Eda Kaja, ndaj akuzave për trafik droge të paraqitura nga prokurori Bledar Bejko.
Klajdi Xibraku, 29 vjeç i veshur me xhup të kuq, dhe Erion Peti, 42 vjeç, qëndruan të qetë pas kafazit të Xhamtë, gjatë kohës që mediet u lejuan në sallën e gjyqit.

Avokatët ndërkohë mësohet se kanë vënë në dispozicion të prokurorisë së Durrësit, disa e-maile që kanë shkëmbyer me kompaninë ekuadoriane ku blinin bananet.

Ata ngrenë pretendime se mbajnë përgjegjësi vetëm për mallin e jo për kontejnerin.
Ngarkesa me 143 kilogram kokainë u sekuestrua me 10 prill në Portin e Durrësit, pas një hetimi të nisur nga SPAK në bashkëpunim me prokurorinë lokale.
Droga ishte e ndarë në pako të mbështjella me natriban dhe u zbulua në tavanin e modifikuar të kontejnerit.
Mbi pakot e kokainës ishte e stampuar fotografia e baronit famëkeq të drogës, Pablo Escobar, si dhe fjalët “El Mejor”, që në shqip përkthehet “më e mira.” dhe ‘Viejon’ i moshuari.
Linjat e trafikut të drogës nga vendet e Amerikës latine u zbuluan në vitin 2018, kur në portin e Durrësit u sekuestruan 613 kilogram kokainë.
Për atë ngarkesë është dënuar Arbër Çekaj, ndërsa babai i tij u arrestua disa ditë më parë, pasi akuzohet se tentoi të përsërisë të njëjtën skemë me 49 kilogram kokainë.
