Skandali me të dhënat personale, Basha: Ramën s'ka marifet që e shpëton

Gjatë takimit me të rinjtë në zonën e Farkës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal edhe te skandali i ditëve të fundit lidhur me të dhënat personale të 910 mijë votuesve në Tiranë që merren përmes e-Albania.

Sipas kryedemokratit, nuk ka asnjë marifet që do ta shpëtojë kryeministrin Edi Rama nga humbja më 25 Prill.

Lexo edhe: “Po na përgjojnë për vota” Qytetarët të shqetësuar: Ata dinë sa lekë ke, madje sa dashnore ke”

“Unë e di përgjigjen se e dëgjoj kudo, e di fare mirë!!! E di dhe ai! Dhe nuk ka marifet që e shpëton!

E keni parë atë marifetin që e publikuan dje, që rrinë dhe mbledhin numra të kartave të identitetit etj. etj.?! Nuk ka marifet që e shpëton! 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim! Ndaj ftesa ime ndaj teje është të qëndrosh këtu sepse pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete”, theksoi Basha duke iu drejtuar një gjimnazisteje.  

Portali Lapsi.al denoncoi para pak ditësh një skandal me përmasa të mëdha. Nën ethet e mandatit të tretë, qeveria ka vendosur në duart e militantëve të saj të dhënat personale të qytetarëve të mbledhura nga portali qeveritar e-Albania, si numrin e kartës së ID, telefonit dhe në rast se e kanë ndërruar, adresën e banimit, statusin social, qendrën e punës shtet apo privat etj. Prokurorë, Gjyqtarë dhe njerëz të artit dhe medias, janë futur nën patronazhin e zyrave elektorale të zonës ku banojnë”. 

Lexo edhe: Bushati: Kemi strukturat tona se si i mbajmë të dhënat, patronazhi ndodh edhe në vende të tjera