Laboratori i kanabisit në Kurbin, gjykata le në burg 24-vjeçarin. Drejtori i Kadastrës ende në kërkim

Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg Vranick Hiskun, 24 vjeçarin e arrestuar  pas zbulimit të një laboratorit të kultivimit të bimëve narkotike me teknikën e llambave brenda një magazine në Gjorm të Kurbinit.

Gjyqtari Olti Skrame e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 24-vjeçarit, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë "Arrest me burg" me afat 45 ditë.

Kjo kohë sipas gjyqtarit duhet të përdoret për administrimin e eksperimenteve të kërkuara për posedimin dhe përdorimin e laboratorit të drogës.

Ndërkohë avokati i të ndaluarit ka deklaruar se klienti i tij nuk ka lidhje me laboratorin e drogës, duke kërkuar një masë më të butë, por kërkesa u refuzuar nga togat e zeza.

Lexo edhe: Paradite Drejtor Kadastre, pasdite te magazina e Kanabisit

Sipas policisë i përfshirë në laboratorin e hashashit është edhe drejtori i Kadastrës së Kurbinit Edmond Stojani, i cili është shpallur në kërkim.

Sipas policisë, zyrtari i Shtetit kishte marrë me qira magazinën ndërsa në bashkëpunim me nipin e tij Hiskun kishte përshtatur katin e dytë për kultivim të bimëve narkotike me aparatura!

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.

Në ndërtesë u konstatua  një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.