Barcelona fiton me vuajtje, Atletico tani vetëm 1 pikë larg
Mbrëmje dramatike për Barcelonën që vuan shumë për të marrë 3 pikë të rëndësishme në luftën për titull dhe e arrin me vështirësi të mëdha ndaj Real Valladollit të cilët i mposhti minimalisht 1-0.
Katalanasit shpëtohen nga Ousmane Dembele i cili në minutën e 90’ arrin të shënojë një gol që vlen jo vetëm 3 pikë por zyrtarisht i jep ekipit shpresat për të fituar titullin pasi vendi i parë që mbahet nga Atl. Madrid është vetëm 1 pikë larg. Messi me shokë përfituan nga dalja me të kuq e Plano në 79’ për të rritur presionin dhe në fund u shpërblyen duke u bërë forcë e dytë e kampionatit ndërsa Real Madrid mbetet në vend të tretë.
Atl. Madrid 66, Barcelona 65, Real Madrid 63 pikë, një renditje e çmendur dhe rivalitet që nuk ishte parë prej vitesh me diferenca kaq të ngushta mes 3 ekipeve kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i Primera Division.