Celibashi paralajmëron partitë: Ata që nuk do përmbushin përgjegjësitë, do të ballafaqohen me sanksione përkatëse

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas vendimit për zgjedhjen përfundimtare të fletës së votimit, e cila është vendosur që të do të jetë me numra, ka bërë edhe një paralajmërim, për partitë politike.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi, ka thënë se të gjithë janë në monitorim, duke lënë të nënkuptohet se po vëzhgohen nga ndërkombëtarët.

"Kemi versionin përfundimtar të fletës së votimit. Sjell në vëmendje të partive politike dhe kandidatëve, për t’u angazhuar në një proces në përputhje me legjislatonin shqiptar dhe standartet ndërkombëtare. Legjitimiteti varet shumë nga qasja mbi përgatitjen e procesit.

Çdo iluzion mbi atë që në fund të fundit do ta kemi një rezultat, ndaj sa nuk është vonë gjithkush prej nesh duhet të korrigjojmë çfarë nuk është bërë. Jemi të gjithë të vëzhguar dhe monitoruar, dhe në fund të ditës do të kemi gjykim. Ata që nuk do përmbushin përgjegjësitë, do të ballafaqohet me sanksione përkatëse."

Fushata të jetë e qetë

Më tej Celibashi u ka bërë thirrje kandidatëve, që të angazhohen, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

"Është rasti për t’u adresuar një thirrje kandidatëve për t’u angazhuar në një fushatë të qetë dhe të ndershme."