Plagosën 32-vjeçarin, në kërkim babë e bir në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë 3 shtetas, ndërsa ka proceduar penalisht një tjetër, të gjithë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Mes tyre janë edhe dy shtetas, atë e bir, të cilët akuzohen për plagosjen e një 32-vjeçari.

Siç njofton Policia e kryeqytetit, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. M., 19 vjeç dhe J. Gj., 19 vjeç, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin M. A., 19 vjeç, dhe punohet për kapjen e shtetasit K. Sh., 24 vjeç, pasi në bulevardin "Migjeni" në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta shtetasin B. K.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. L., 33 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Më datë 04.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve (atë e bir), G. B., 49 vjeç dhe S. B., 22 vjeç, sepse në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, për motive të dobëta në bashkëpunim me njeri - tjetrin, kanë goditur me mjet prerës  shtetasin E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.