U qëllua mbi 100 herë me armë zjarri, zbardhet dinamika e vrasjes së Bardhok Pllanajt

Një ditë pas vrasjes së Bardhok Pllanajt në Shkodër policia nuk ka asnjë person të shoqëruar apo të dyshuar në lidhje me ngjarjen. Kontrollet e policisë lokale dhe FNSH nuk kanë evidentuar asgjë, ndërkohë që viktima që njihej si "kumbari" i Shkodrës është prekur nga të paktën 30 plumba pas më shumë se 100 të shtënave që goditën automjetin e tij mbrëmjen e të dielës.

Atentati mafioz në të cilin mbeti i vrarë Bardhok Pllanaj duket se e ka zënë ngushtë edhe policinë e cila nuk ka asnjë person të shoqëruar edhe një ditë pas ngjarjes.

Dinamika

Rreth orës 21:10 të së dielës 46-vjeçari po lëvizte me makinën e tij "Range Rover" në rrugën e Dobraçit kur një mjet tip "Volsvagen Passat" me targa italiane e ka ndjekur.

Brenda makinës së autorëve besohet se kanë qenë të paktën tre persona të cilët kanë qëlluar me breshëri arme, të cilat u gjetën të djegura bashkë me mjetin pas vrasjes.

Më shumë se 100 predha kanë prekur makinën e viktimës, ndërkohë që Pllanaj ka marrë 30 plumba në trup.

Pak minuta pas ngjarjes në komisariatin e Shkodrës u raportua për një makinë e cila po digjej në zonën e pompave në Dobraç.

Gjatë kqyrjes së mjetit policia konstatoi 2 armë zjarri të cilat u dërguan në laboratorin kriminalistik për një ekspertizë të detajuar.

Lexo dhe: Atentat në Shkodër/ Vritet në makinë Bardhok Pllanaj, “Kumbari i Shkodrës”

Pistat e hetimit

Edhe pse në Shkodër policia lokale dhe FNSH angazhuan në kontrolle dhe krehjen e zonës pas ngjarjes, nuk ka asnjë të shoqëruar.

Përplasja mes grupe kriminale në Shkodër dhe prishja e pazareve të drogës, janë pistat kryesore që po hetohen në lidhje me ngjarjen.

Bardhok Pllanaj ishte  babai i 4 fëmijëve, dy djemve dhe dy vajzave.

Lexo dhe: U ekzekutua me armë zjarri, Pllanaj ishte në kërkim të policisë, gjykata i sekuestroi dhe pasurinë