Zjarret nisin para verës, digjet ullishtja në Levan të Fierit, zjarrfikësit shkuan në këmbë
Disa hektarë me ullinj u dogjën në Levan të Fierit duke shënuar kështu nisjen e stinës së zjarreve që vjen bashkë me pranverën. Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme nga fermerët për pastrimin e tokave.
Pranvera rikthen alarmin e zjarreve. Një sipërfaqe me ullinj u përfshi nga flakët në Levan të Fierit.
Zjarri u shfaq rreth mesditës dhe u përhap me shpëjtësi i ndihmuar edhe nga era.
Për ta vënë nën kontroll u kërkua ndërhyrja e forcave zjarrfikesë, por mjetet nuk arritën të ngjiten deri në zonën që po digjej për shkak të terrenit të vështirë kodrinor.
Ndaj luftën me flakët, zjarrfikësit dhe banorët e bënë me mjete rrethanore e pompa krahu.
Zjarri vijoi për disa orë e për pasojë rreth 4 hektarë ullishte u dogjën.
Dyshimet janë se zjarri është ndezur nga fermerët për pastrimin e tokave por u ka dalë jashtë kontrollit.
Policia thotë se ka nisur një hetim për gjetjen e fajtorit.
Zjarrvënia e qëllimshme ose aksidentale është arsyeja kryesore e zjarreve gjatë pranverës në Shqipëri, fenomen që nuk është arritur të ndalet as me forcimin e masave ndëshkuese.
Ndërsa bashkitë nga ana tjetër në vazhdimësi kanë dështuar në betejen me zjarret edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve të forcave zjarrfikëse.