Reduktimi i mësimit nga pandemia, nxënësit detyrohen të ndjekin kurse private

Vetëm dy orë qëndrojnë në bankat e shkollës nxënësit e ciklit fillor.

Për shkak të pandemisë oraret janë reduktuar ndjeshëm duke i penalizuar të vegjlit në marrjen e dijeve.

Të gjendur në këtë situatë prindërit janë detyruar t`i dërgojnë fëmijët në kurse fill pas shkollës ose të punësojnë mësues privat.

"Shumë dobët, nuk arrijnë fare të kuptojnë. Nxënësit janë shumë mbrapa," thotë një nënë.

"Hasim vështirësi, ndonjëherë. Më shumë në matematikë," thotë një nxënëse.

"Duken pak të vështira," thotë një nxënës tjetër.

"Unë i kuptoj ato në shkollë, por duhet të mësosh më shumë që t'i kuptosh më mirë," thotë nxënësja.

E gjitha kjo përkthehet në kosto financiare për ta, pasi çmimet e kurseve variojnë nga 8 deri në 10 mijë lekë në muaj.

"Është shumë problem për këtë, shumë të vështira i kanë kështu që jemi të detyruar t'i çojmë," thotë një prind.

"Paguajmë 80 mijë lekë, pro jemi të detyruar që t'i çojmë nga e keqja që të përparojnë fëmijët se dhe ne me zor ia shpjegojmë."

Disa prej tyre në mungesë të kushteve ekonomike, apo frikës nga infektimi me covid-19 e përjashtojnë mundësinë e kurseve duke marrë përsipër t`i mësojnë vetë fëmijët në shtëpi.

"Ne më përpara i marrim sesa i sjellim. Mundohemi vetë, rrimë nga 4 orë që merremi me fëmijët," thotë nëj prind tjetër.

Në shkollat 9-vjeçare mësimi vijon me turne deri në orët e vona të pasdites ndërsa gjimnazet qëndrojnë mbyllur në bazë të vendimit të dhënë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.