Kryemadhi: Kryeministri totalisht i paaftë për menaxhimin e situatës ku ndodhet sot vendi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi paraditen e sotme ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat në bashkinë e Kamzës.

Kryemadhi shprehet se qytetaret gjithnjë e më shumë po përballen me papunësinë shpenzimet e larta.

"Rëndësi sot ka se çfarë ndiejnë qytetarët. Ata ndiejnë që çdo ditë e më shumë i kanë taksat më të larta, shpenzimet e tyre në familje rriten çdo ditë e më shumë, mundësitë për të krijuar hapësira të reja biznesi janë të limituara. Për të mos vijuar më pas me faktin që me mijëra biznese janë mbyllur në Tiranë e shumë të tjera kanë mbyllu shumë vende pune për shkak të pandemisë dhe të keq menaxhimit të situatës së shkaktuar prej saj."

Në fjalimin e saj, Kryemadhi u shpreh se kryeministri Rama ka qenë i paaftë të menaxhojë Shqipërinë dhe situatën pandemike.

"Në fakt dëgjojmë rëndom se si artikulohet dhe thuhet që Shqipëria po buzëqesh, por e vetmja buzëqeshje që ne shohim është ngërdheshja e Kryeministrit tonë në maskën në fytyrë, sepse edhe vetë ai nuk është i lumtur dhe i gëzuar për shkak të situatës që e ka krijuar ai vetë.

Një kryeministër i cili ka qenë i paaftë për të menaxhuar një Shqipëri në normalitet dhe e futi në krizë atë dhe sot normalisht që do të jetë totalisht i paaftë për të përballuar dhe menaxhuar një situatë të tillë prej pandemisë por edhe pas tërmetit."

Kryemadhi vlerësoi angazhimin e grave dhe vajzave në bashkinë e Kamzës.