Alonso “thumbon” Ferrarin: Kaq vite dhe akoma nuk fitojnë
Pas dy vitesh pritjeje, Fernando Alonso rikthehet në Botërorin e Formula 1 dhe për të nuk do të jetë një mission i lehtë me skuadrën Alpine.
Spanjolli në konferencën përpara gazetarëve për fillimin e sezonit të ri u ngacmua shumë për moshën, pothuajse 40-vjeç dhe aftësitë fizike për të menaxhuar nivele kaq të larta.
“Jam pak i surprizuar kur dëgjoj këto pyetje për moshën pasi nuk mendoj se jam kaq i vjetër për Formula 1. Ai që po dominon, Hamilton është 36-vjeç dhe nuk është se unë jam 20 vjet më i vjetër se Lewis. Sigurisht ka dhe një gjeneratë të re që nis rrugëtimin këtë sezon por ende nuk kanë fituar asgjë.”
Lidhur me karrierën e tij në Formula 1 dhe nëse kishte pendesa, sidomos për largimin nga Ferrari, Alonso nuk u tregua dhe aq diplomat.
“Nuk kam asnjë pendesë, kur merren vendime ka përgjegjësi dhe pike. Te Ferrari kam kaluar shumë mire dhe për 3 vite kemi luftuar deri në garën e fundit për titullin. Ika edhe pse raportet ndryshuan dhe jemi në vitin 2021 ku Ferrari akoma nuk po fiton”.
Sa për kondicionin e tij, Alonso siguroi se i nevojiten vetëm 4-5 gara për t’u përshtatur me makinën e tij Alpine A521.