Krijimi i qeverisë, Albin Kurti prezanton ministrat dhe programin

Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të rinj programin e qeverisë si dhe ministrat e qeverisë.  Me bindje të plotë ai theksoi se në çështjet e jashtme do të respektojë vetëm Kushtetutën dhe do të punojë për njohjen e pavarësisë dhe integrimin në organizmat ndërkombëtarë.

Asnjë kompromis mbi Kosovën. Me këtë mesazh Albin Kurti i është drejtuar deputetëve të Kosovës në ditën e parë të punës së parlamentit të ri.

Duke folur mbi marrëdhëniet me jashtë. prioritet ai shikon mbrojtjen e Kushtetutës.

“Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe dy shteteve. Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi e demokratizimi i saj, drejtësia për të e tek ajo, le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Ne kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 2 korrik 1990 dhe me 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia të shpall pavarësinë e saj nga Kosova e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO në BE dhe NATO”, tha Kurti.

Integrimit në institucionet ndërkombëtare do të jenë në qendër të vëmendjes.

“Do të ketë thellim dhe rritjet të bashkëpunimit bilateral me partnerët strategjik në krijimin e aftësimit dhe kapaciteteve të plota ushtarake sidomos me Shqipërinë dhe SHBA dhe do të përgatitemi që të bëjmë Kosovën anëtare të kartës së Adriatikut. E deri sa punojmë në reformat e vendit po ashtu do të reformojmë edhe qasjen tonë jashtë vendit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran kompromiset që janë kërkuar e që  kanë qenë të dëmshme janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmimi  i paguar për shpalljen e pavarësisë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë dhe nuk do ta bëjmë”, tha ai.

Sigurisht pandemia nuk mund të qëndronte jashtë vëmendjes së kryeministrit të ri të Kosovës.

“S’ka dyshim që pandemia mbetet sfida kryesore. Pa humbur kohë me ministrin e ri të shëndetësisë do të fillojmë një plan të vendosjes nën kontroll të COVID-19 me masat të cilat ulin numrin e rasteve të reja e që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 përqind të popullsisë që do të siguroj imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, deklaroi ai.

Barazi dhe zhvillim të ekonomisë premtoi Albin Kurti në këtë mandat qeverisës.

“Unë e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve të vendit sepse kemi papunësi dhe varfëri të lartë por nga sot do të fillojmë rrugëtimin e ri drejt progresit të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshëm por sëbashku do të arrijmë në cakun e dëshiruar. Do të fillojmë me reformën drejtësi. Procesi i vetingut do të fillojë aty ku ka mbetur në pranverën e kaluar. Këtij procesi do t’i nënshtrohen gjykatës, prokurorë, inspektorë dhe drejtues të lartë të policisë dhe inteligjencës”, u zotua Kurti.

Pas paraqitjes së programit dhe me zotimin për llogaridhënie Kurti kërkoi dhe votën për kabinetin qeveritar.

Gjatë paradites Kuvendi miratoi emrin e Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, i cili tashmë do të ketë dhe mandatin e Presidentit deri në zgjedhjen e Kreut të Shtetit.

EMRAT

Zëvendëskryeministër i parë – Besnik Bislimi,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme – Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministre e tretë – Emilia Rexhepi
Ministrinë e Punëve të Brendshme – Xhelal Sfeçla,
Ministrinë e Arsimit – Arbërie Nagavci,
Ministrinë e Shëndetësisë – Arben Vitia,
Ministrinë e Bujqësisë – Faton Peci,
Ministrisë e Kulturës – Hajrullah Çeku,
Ministrinë e Drejtësisë – Albulena Haxhiu,
Ministrinë e Financave – Hekuran Murati,
Ministrinë e Tregtisë – Rozeta Hajdari,
Ministrinë e Mjedisit – Liburn Aliu,
Ministrinë e Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi,
Ministrinë e Mbrojtjes – Armend Mehaj,
Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli,
Ministria për Zhvillim Rajonal - Fikrim Damka,
Ministria për Komunitete dhe Kthim – Goran Rakiç

Lexo edhe: Konstituohet Kuvendi i Kosovës, kryetar: Glauk Konjufca, zgjidhen dhe 5 nënkryetarët e rinj