Pas PDK, edhe AAK thotë se nuk e voton Osmanin për Presidente dhe as nuk ia bën kuorumin
Ashtu si Partia Demokratike e Kosovës, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente. Madje Haradinaj ka thënë se nuk do t’i bëjnë as kuorumin për zgjedhjen e saj.
“As nuk e votojmë e as nuk ia bëjmë kuorumin znj. Osmani për presidente”, ka thënë lideri i AAK-së në Debat Plus të RTV Dukagjinit.
Gjatë ditës së sotme ambasadori amerikan pati takime të ndara me zotin Haradinaj nga AAK dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj për t’i inkurajuar që të veprojnë me konstruktivitet në rolin e opozitës.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett tha se u ka kërkuar kryetarëve të dy partive që të punojnë së bashku me qeverinë në synimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi qëndrimet politike.