Shqipëria do të vaksinojë 500 mjekë e infermierë të Kosovës
Shqipëria do të vaksinojë 250 mjekë dhe infermierë nga Kosova ditën e sotme.
Njoftimi është bërë i ditur nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK).
Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë të tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.
Nisja e tyre për në Kukës do të bëhet në orën 11:00 nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Prishtinë.
Procesi i vaksinimit do të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kulturës Hasan Prishtina.
Njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Kukës ka nisur nga puna për përgatitjen e ambienteve ndërsa vaksinimi i personelit mjekësor të Kosovës në Kukës do të ndiqet nga afër edhe nga Kryeministri Rama.
Lexo edhe: Shqipëria jep 500 vaksina për mjekë e infermierë të spitaleve Covid në Kosovë
Ky vendim është marrë pas takimit të zhvilluar mes delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.