"E tepruar"/ Provikimi i Vuçiç, Andoni: Karshillëk ndaj qeverisë që po vjen në Kosovë

Një postim i presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç në Instagram ku, mbi hartën e Kosovës vendoste flamurin serb, ka sjellë reagime të ashpra jo vetëm në Prishtinë.

Për të folur mbi këtë temë, i ftuari i gazetarit Sebastian Zonja në Ora News ishte analisti Ben Andoni.

Lexo edhe: Harta e Kosovës me flamurin serb, Kosova reagon ashpër ndaj Vuçiç: Agresion i rëndë verbal

Ben Andoni: Kuptohet që është në kohën jo të duhur por është një lloj, të themi, karshillëku me atë që pritet nga reagimi i qeverisë së re kosovare. Unë mendoj se është e tepruar. Është e tepruar edhe për shkak të evokuimit të ngjarjeve të vitit 2004, të cilat, si dëshmitar në Kosovë kam parë që gjithësesi më shumë patën pasoja për shqiptarët e Kosovës se sa vetë serbët.

Sebastian Zonja: Çfarë ndodhi në 2004?

Ben Adoni: Ka qenë gati një gjë e jashtëzakonshme. Ka pasur një lloj amullie të përgjithshme në Kosovë dhe qytetarë kosovarë filluan të sulmonin institucionet ose këto të themi institucionet e huaja në Kosovë. Nga ana tjetër, kishte një tension shumë të madh mes komunitetit shqiptar dhe komunitetit sllav. Por në fund viktimat ishin shumë më tepër nga ana kosovare. Ka patur rreth 20 viktima nga shqiptarët dhe më pak nga serbët. Dhe realisht ka qenë një tragjedi për atë që Kosovën e priste. Po shkohej drejt pavarësisë, problematika shumë e madhe për të përshtatur të drejtën ndërkombëtare me situatën e Kosovës. Ndërkohë ndodhin këto që i dhanë ushqim propagandës serbe. Për të thënë që, këta jo vetëm nuk janë të përgatitur për të bërë atë kanë ndërmend por shihni çfarë niveli janë.

Duke u kthyer te postimi i zotit Vuçiç, nuk është as thjesht pjekur politike por nga ana tjetër është një lloj karshillëku jo i domosdoshëm në këto kohë shumë të vështira për Kosovën. Kosova akoma nuk po gjen fondin e nevojshëm për tu vaksinuar. Është thjesht e panevojshme. Jo thjesht se zoti Kurti ka thënë një të vërtetë në fakt, dialogu nuk është më një përparësi aq e madhe për ekzekutivin që do të drejtojë. Për arsyen e vetme se shikohet që dialogu është një rrugë e stërzgjatur, ndërkohë këto problemet teknike që kanë të dyja vendet kanë marrë një lloj rruge.

Pak më herët reagoi edhe ish ministri shqiptar i jashtëm Ditmir Bushati, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ku shigjeton mbështetësit në Shqipëri dhe Kosovë të projektit të shkëmbimit të territoreve.

“Mos u çudisni me flamurin serb të vendosur nga Presidenti i Serbisë mbi hartën e Kosovës, përsa kohë hapësira jonë mediatike strehon zëdhënësit që demonstronin me mburrje ‘risitë’ e projektit të copëtimit të Kosovës", shkruante Bushati.

Lexo edhe: Bushati: Mos u çudisni me Vuçiç sakohë media strehon zëdhënësit e projektit të copëtimit të Kosovës!