Vuçiç provokon rëndë me flamurin serb mbi hartën e Kosovës, nis fushata e reporteve në Instagram

Situata e marrëdhënies Kosovë-Serbi duket se nuk do të gjejë lehtësisht paqe, ndërkohë që provokimi i radhës ka ardhur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç ka publikuar një hartë të Kosovës e mbuluar nga flamuri serb, ndërkohë që shkruan se Serbia nuk do të lejojë të përsëritet data 17 mars. Kjo datë përkon me ditën e dëbimit të serbëve nga territori kosovar.

“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron. Nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri.

Ne kujtuam dhe mësuam çdo mësim në të cilin ishim humbës, secilin në të cilin heshtim ndaj viktimave tona, secilin në të cilin ishim gati të harrojmë.

Ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër”, shkruan Vuçiç.

Pikërisht ky postim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kërkojnë report të këtij posti si kërkesë për Instagramin që ta fshijë. Sakaq mungon edhe një reagim nga palët shqiptare.