Konstituohet Kuvendi i Kosovës, kryetar: Glauk Konjufca, zgjidhen dhe 5 nënkryetarët e rinj
Kosova ka një legjislaturë të re dhe një president të ri në detyrë. Glauk Konjufca u zgjodh në postin e kryeparlamentarit, duke pasuar Vjosa Osmanin. Tashmë pritet votimi për Vetëvendosjen që të marrë edhe qeverinë.
Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës mori të hënën detyrën me 120 përfaqësuesit e saj.
Seanca konstituive pas zgjedhjeve të 14 shkurtit u mbajt nën regjimin e masave anti-Covid.
Betimi i ligjvënësve u shoqërua me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Si kryeparlamentar, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje mori 69 vota pro dhe 33 kundër.
“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nder, me përzotësi dhe me përkushtim. Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo të asaj partie, për mua si kryetar i Kuvendit do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit ët Kosovës,” tha Konjufca.
Konjufca u bë të hënën edhe presidenti i përkohshëm i vendit, duke pasuar ish-kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, më shumë se 130 ditë pasi ajo zëvendësoi Hashim Thaçin.
Dorëzimi i detyrës u krye në zyrat e Kuvendit.
“Në Kuvendin e kosovës nga deputetët e legjislaturës së tetë kam nderin t’ia kaloj përgjegjësinë kryetarit të Kuvendit zotit Glauk Konjufca,” tha Vjosa Osmani.
Me të marrë detyrën, Konjufca nuk vonoi t'i hapi rrugën krijimit të institucioneve të tjera, duke ia ngarkuar përgjegjësinë kryetarit të tij, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
Lëvizjes Vetëvendosje me 58 deputetët e saj i mungojnë të paktën tri vota për ekzekutivin.
Kryetari Albin Kurti tha se pret ftesën e Konjufcës për të formuar qeverinë e tij.
“Unë pres prej tij që të më sjellë ftesën për formimin e qeverisë si mandatar i ardhshëm dhe pastaj do t;i ndjekim të gjithë hapat pasues dhe ligjorë,” tha Kurti.
Partitë kryesore të opozitës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja thonë se nuk do e mbështetin.
Mungesa e shumicës parlamentare pritet të rezultojë problematike për Vetëvendosjen edhe në zgjedhjen e presidentit, pasi kandidatura e ish-kryeparlamentares Osmani, sërish kundërshtohet nga pakica parlamentare.
Kuvendi zgjodhi sot edhe tre nënkrytarët nga partitë me shumicë shqiptare: Saranda Bogujevcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarët e rinj, nga partitë me shumicë shqiptare, janë zgjedhur me 107 vota për dhe gjashtë vota kundër.
Nga komuniteti serb, nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.
Të dy këta nënkryetarë janë zgjedhur me 91 vota për, gjashtë kundër dhe dhjetë abstenime.