Abdixhiku: LDK në opozitë, me Osmanin do vazhdojmë bisedimet për një President unifikues

Në Prishtinë, Lidhja Demokratike ka bërë të ditur se do të negociojë vetëm me zonjën Vjosa Osmani për të zgjidhur ngërçin e Presidentit të ri të Kosovës.

Kryetari, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kryesinë e re të partisë, tha se për këtë lëvizje, ka marrë përkrahjen e  forumit drejtues te LDK, e cila sipas tij nuk është e interesuar të zgjedhë një President që përfaqëson vetëm një parti.

"Na duhet president që I përfaqëson të gjitha partitë politike dhe jo vetëm një parti. Na duhet një president Kushtetues. Të gjitha detajet do t’i shpalosim kurdo që do të ndodh takimi. Ajo çfarë po themi vazhdimisht është që jemi të interesuar ti shmangim krizat”.

Në lidhje me pozicionin e LDK-se ndaj qeverisë Kurti, Abdixhiku tha partia qe ai drejton do të jenë një opozitë e fuqishme, duke lënë të kuptohet se nuk do të mbështesë maxhorancën  e Vetëvendosjes.

"Ne jemi opozitë dhe roli i opozitës është i qartë që LDK do të jetë opozitë e fuqishme me argumente të drejta të kohës dhe natyrisht pjesë përbërëse e institucioneve aty ku qytetarët e vendit e kanë dërguar”.

Të shtunën Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së zgjodhi Kryesinë e re. Në postet drejtuese mbeten jashtë dy ish-nënkryetarët Agim Veliu dhe Haki Rugova.

LDK  iu nënshtrua procesit të riformatimit pas humbje së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare.