Harta e Kosovës me flamurin serb, Kosova reagon ashpër ndaj Vuçiç: Agresion i rëndë verbal
Provokimi i presidentit, Aleksandër Vuçiç, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë, është pritur me reagime të forta.
Harta me flamurin serb që mbulonte territorin kosovar u publikua në faqen "Instagram" të presidentit Vuçiç.
“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron e nuk do të lejojë që 17 Marsi të ndodhë përsëri. Kosova është kryqi ynë," shkroi presidenti serb me rastin e trazirave të 17 marsit 2004, ditë kur përplasjet ndëretnike mes shqiptarëve dhe komunitetit serb në Mitrovicë do të linin mbi 20 të vrarë e shpërngulje masive.
Lexo edhe: Vuçiç provokon rëndë me flamurin serb mbi hartën e Kosovës, nis fushata e reporteve në Instagram
Në Prishtinë, fotografia me flamurin serb i provokoi shqiptarët e Kosovës.
Enver Hoxhaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, e akuzoi Beogradin për propagandë.
"Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është muri me vlera euroatlantike që e ndan nga mentaliteti mesjetar," shkroi Hoxhaj në Twitter.
"Ky është një agresion i rëndë verbal, dhe duhet dënuar si i tillë," reagoi edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Kritikave për Beogradin iu bashkua edhe ministri i shtetit shqiptar për Diasporën, Pandeli Majko.
"Diplomacia e fotove në Instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sovraniteti i Republikës së Kosovës garantohet nga NATO-ja dhe jo nga Instagrami," shkroi ish-kryeministri Majko.