Rindërtimi i Durrësit, Sako: Kemi shpërndarë fonde për 10 mijë familje, kanë përfunduar 402 pallate

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e ftuar në RTV Ora ka treguar se në cilën fazë është rindërtimi i qytetit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Sako ka thënë se procesi i rindërtimit ka ecur mirë, teksa janë shpërndarë fonde sipas saj për 10 mijë familje, teksa shton se ka përfunduar rimëkëmbja për rreth 402 pallate.

Sako: Procesi i rindërtimit është me ritme shumë të mira. Kemi prekur thuajse të gjitha fazat e tij, të gjitha spektrat e rindërtimit, duke qenë se dëmet ishin të natyrave të ndryshme edhe mbështetja e qytetarëve ishte me programe specifike. Në këtë moment kemi dhënë ndihmë financiare direkt familjeve që patën dëme të lehta. Për 10 mijë familje që kanë marrë fonde nga 1 milion, 2 milion e gjysmë dhe 5 milionë lekë në bazë të një VKM-je të posaçme që doli për këtë proces. Kemi dhënë grande kesh për banorët e Durrësit në mënyrë që të riparonin dëmet e brendshme të banesave.

Nga ana tjetër kemi filluar paralelisht një proces që qytetarët nuk e realizonin dot, ai i riparimit të dëmeve në ambientet e përbashkëta. Në muraturat e shkallëve, në muret e ashensorëve dhe në muret e jashtme të objekteve, për të cilat do duheshin inxhinierë apo kompani të mirëfillta. Aktualisht kemi përfunduar 402 objekte tërësisht për këto ambiente të përbashkëta dhe kemi ende rreth 200 objekte të tjera që janë në proces të zbatimit të tyre. Me përfundimin e kësaj kontrate, do të kemi 16 900 familje që do ti kthehen jetës normale. Janë edhe banesat individuale që janë kryesisht të pozicionuara në njësi administrative, sepse dëmi ishte më i madh në këtë tip objekti në njësi.

Intervista në studio për Besmira Pelushaj, përgatiti për online Tea Islamaj.