Vodhën karburantin në Fushë Krujë dhe tre motomjete, katër të arrestuar, një në kërkim
Katër persona kanë rënë në prangat e policisë për vjedhjen me dhunë të një shume parash në një karburant, ndërkohë është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Policia ka zbardhur edhe tre vjedhje të tjera të motomjeteve, të cilët autorët i kanë përdorur më pas për të kryer vjedhje të tjera.
Të arrestuarit janë
D. B., 21 vjeç, banues në Magzazë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja";
S. S., 17 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë;
K. M., 21 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Thumanë.
Është shpallur në kërkim shtetasi H. X., 26 vjeç, banues në Larushk, Krujë, i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Armëmbajtje pa leje”.
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjes me dhunë të një shume parash në një karburant në fshatin Arameras, si dhe autorë të vjedhjes së tre motomjeteve, të cilët i kanë përdorur më pas për të realizuar vjedhje të tjera, kryesisht vjedhje parash në pika karburanti" njofton policia.
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit K. M. dhe të shtetasit A. M. (kushërinj), janë gjetur rreth 1000 kubikë të kultivuar me fara kanabisi.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan veshje të përdorura nga autorët për të kryer vjedhjet, 1 automjet tip "Fiat", 2 motomjete, rreth 1000 kubikë me fidanë të bimës narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu teke dhe 1 armë gjahu shotgan, 3 aparat celular dhe sende të tjera.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre personave, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vjedhja me dhunë", "Vjedhja" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike".