Dekretimi i 4 gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë, Soreca: Mirëpresim emërimet e Metës, të procedohet me të tjerët
Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca reagon përmes një postimi në Twitter lidhur me dekretimin e 4 gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Diplomati i BE përshëndet vendimin e kreut të shtetit dhe nxit autoritetet të vijojnë punën për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë.
"Ne e mirëpresim emërimin nga Presidenti Ilir Meta dekretimin e 4 gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas propozimit nga KLGJ. Tani është e rëndësishme të procedohet me shpejtësi në emërimet e mëtejshme në Gjykatë. Bashkimt Evropian do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për KLGJ për të ndjekur këtë objektiv", shkruan në reagimin e tij Soreca.

Lexo edhe: Meta dekreton 4 emra, nga sot Gjykata e Lartë me 7 anëtarë
Presidenti Ilir Meta dekretoi sot emërimin e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë
Pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, ka pranuar propozimet e KLGJ-së, duke vendosur që:
- Zoti Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
- Zonja Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;
- Zoti Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
- Zoti Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.