Shefja e misionit të OSBE-ODIHR për 25 prillin: Do të jemi në çdo zonë të nxehtë, edhe në Elbasan

OSBE-ODIHR do të ketë prioritet në monitorimin e zgjedhjeve zonat e konsideruara të nxehta. Në konferencën e parë për mediat shefja e misionit thekson se 274 vëzhguesit do të kenë nën vëmendje klimën para dhe pas votimeve.

Me kërkesën e autoriteteve shqiptare, OSBE-ODHR do të vëzhgojë zgjedhjet e 15-ta në vendin tonë.

 Në konferencën e parë me gazetarët shefja e misionit Urszula Gacek tregoi se 274 vëzhguesit vetëm do të monitorojnë klimen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, por nuk do të luajnë rolin e policit.

"Jemi këtu si vëzhgues, nuk jemi për të ndërhyrë dhe në asnjë mënyrë nuk jemi policia zgjedhore. Nuk na intereson as rezultati politik i këtyre zgjedhjeve."

Ndërsa për tensionimin e klimës politike, siç ishte rasti i përplasjes mes mbështetësve të PS dhe PD gjatë Ditës së Verës në Elbasan, Gacek tregoi se do të vëzhgojë me prioritet çdo zonë të nxehtë.

"Do të jemi kudo në zonat e nxehta, kemi kapacitete ti shohim gjërat me sytë tanë."

Çdo gjetje e raportit të ODIHR për zgjedhjet e 2017 do të jenë udhërrëfyes për misionin e 25 prillit, më në krye shitblerjen e votës.

"Çfarëdolloj ndërhyrje në aftësinë e zgjedhësve për të hedhur votën e tyre në mënyrë të lirë, pa asnjë lloj presioni, pa ndërhyrje, është gjithmonë një fushë ku fokusohemi. Nëse ky ka qenë problem në të kaluarën në Shqipëri sigurisht që do të jetë diçka që do ta shohimn me vëmendje kësaj radhë në 2021."

Misioni do të publikojë 3 raporte, 1 para ditës së zgjedhjeve, dhe gjetjet paraprake pas 25 prillit.