Gjykata e Lartë me 7 anëtarë, Meta dekreton 4 anëtarët e rinj, GJKKO mbetet me 6 gjyqtare gra

Gjykata e Lartë tashmë do të ketë 7 anëtarë. Presidenti Meta ka dekretuar katër anëtarët e rinj. Në deklaratën për mediat ai ka kritikuar KLGJ për vonesat dhe zvarritjen në plotësimin e institucioneve të larta të drejtësisë. Pas këtij vendimi janë Gjykatat e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit që mbeten me më pak anëtarë.

Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi,  Sokol Binaj, Albana Boksi,   janë 4 anëtarët e rinj që i shtohen  Gjykatës së Lartë,  të cilët u dekretuan nga presidenti Ilir Meta.

Me emërimin e katër anëtarëve të rinj, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 anëtarë, nga 19  që duhet të ketë.

Nisur nga kjo Kreu i Shtetit ka artikuluar bashkë me dekretin edhe kritika në drejtim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kjo sepse sipas Metës, nëse KLGJ ecën me këto ritme, kjo gjykatë do të plotësohet në mars të vitit 2024.

"Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë", shprehet Meta.

Ai i ka bërë thirrje KLGJ-së për të përshpejtuar procesin e plotësimit të Gjykatës së Lartë.

Por plotësimi i Gjykatës së Lartë  do të rrezikojë  bllokimin e punës së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). 

Aktualisht GJKKO ka vetëm 8 gjyqtarë nga 16 që duhet të ketë.  

Me emërimin e dy prej tyre në Gjykatën e Lartë, praktikisht kryetari dhe nenkryetari Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi,  GJKKO do të mbeten vetëm 6 gjyqtare, të gjitha gra.

Në të njëjtën situatë ndodhet e Gjykata e Posaçme e Apelit ku dy emrat e tjerë Albana Boksi dhe Sokol Binaj do të ikin nga kjo gjykatë për në Gjykatën e Lartë, ndërsa Apeli ngelet me tre gjyqtarë.