"Aeroporti do t'i japë zonës vlerë tjetër" Gjiknuri takim në Panaja: Investimet do rrisin cilësitë e jetesës
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri së bashku me deputetit Fate Velaj zhvilluan një takim me banorët e fshatit Panaja.
Gjiknuri tha se ky mandat do të jetë i fshatit, ku synohet të shtrihen investimet në zona rurale dhe do të ketë vëmendje të shtuar kryesisht në infrastrukturë.
“Nuk kemi investuar thjesht në një rrugë apo shëtitore, kemi investuar aty ku mund të gjenerohen të ardhura, të krijohet ekonomi. Fakti që po bëhet një aeroport do ti japë të gjithë kësaj zone një vlerë tjetër. Ju merreni kryesisht me bujqësi, por nëse i gjithë ky zhvillim do të sjellë më shumë kërkesë në treg për prodhime bujqësore do të gjenerojë vende pune. Më shumë kujdes synohet për fermerët, mbështetja ndaj të cilëve tashmë ka nisur me skemat e subvencionimit të karburantit dhe kartën e fermerit, ndërsa mandati i tretë do ta kthejë zonën në një pol të rëndësishëm ekonomik", theksoi Gjiknuri.
Gjiknuri tha se në Buxhetin e Bashkisë fokusi tashmë është në infrastrukturën e fshatit.
“Më vjen mirë që projekti i ujësjellësit tashmë ka përfunduar, po lidhet kontrata dhe fillon një investim i madh me vlerë 8 milion euro ku përfshin edhe fshatin tuaj. Me energjinë këtu janë bërë investime dhe është përmirësuar ndjeshëm furnizimi. Shumë shpejt nis edhe riasfaltimi i aksit të vjetër nacional, të gjitha këto investime do të sjellin rritjen e cilësisë së jetesës për banorët e zonës”, u shpreh Gjiknuri.