Meta dekreton emërimin e 4 gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë: Plotësimi duhet të jetë prioriteti kryesor i KLGJ
Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
Meta e mori këtë vendim pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ.
Konkretisht, Meta ka pranuar propozimet e KLGJ-së, duke vendosur që:
Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;
Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Së bashku me këto 4 (katër) emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 (shtatë) anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.
Ndërkohë, Meta shkruan se nëse KLGJ do ndjekë këtë ritëm, Gjykata e Lartë do plotësohet me trupën gjyqësore në mars 2024.
Prandaj, sipas tij, bërja sa më shpejt e plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë është me rëndësi jetike për Shqipërinë
Meta: Gjykata e Lartë nga sot bëhet me 7 nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Ka kaluar 1 vit nga momenti i propozimit nga KLGJ të emërimit të 3 anëtarëve të parë. Nëse KLGJ do ndjekë këtë ritëm, Gjykata e Lartë do plotësohet me trupën gjyqësore në mars 2024.
Kjo gjendje është e papranueshme & duhet t’i shqetësojë të gjithë! Bërja sa më shpejt e plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë është me rëndësi jetike për Shqipërinë. Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i KLGJ. Kjo lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut, me ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit, por përbën edhe një çështje jetike për të ardhmen evropiane të Shqipërisë."
Por plotësimi i Gjykatës së Lartë do të rrezikojë bllokimin e punës në Gjykatën e Posaçme. Aktualisht GJKO ka 8 gjyqtarë nga 16 që duhet të ketë.
Me emërimin Sokol Binaj, Klodian Kurushi, GJKKO do të mbetet me 6 gjyqtare gra. Në të njëjtën situatë do të mbetet edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ku dy emrat e tjerë Albana Boksi dhe Sokol Binaj do të ikin nga kjo gjykatë për në Gjykatën e Lartë, ndërsa Apeli ngelet me tre gjyqtarë.