Kanosën gardianin e burgut Fushë-Krujë, dy persona dërgohen si të pandehur në gjykatë

Bledi Shera dhe Ardjan Shera, dy personat që akuzohen se kanosën me jetë punonjësin e policisë së burgjeve në burgun e Fushë-Krujës, janë marrë të pandehur për akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës”.

Çështja penale e hetuar nga prokurori Florian Bonjaku, është dërguar në gjykatë, pasi gjatë hetimit u provua se dy personat kishin kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Çështja do gjykohet nga gjyqtarja Anisa Këlliçi në Krujë. Sipas dosjes hetimore, ngjarja e rëndë është regjistruar në orën e mëngjesit të datës 22 gusht 2020 ku Ardjan Shera dhe Bert Shera, kanë shkuar pranë burgut të Fushë-Krujës dhe kanosur në krye të detyrës, një punonjës policie, me detyrë specialist informacioni.

Sipas dokumentacionit të prokurorisë Krujë dhe kamerave të sigurisë të burgut, Ardjan Shera, Bert Shera dhe Elton Shera, janë afruar tek dera kryesore e postobllokut që futesh brenda burgut Fushë-Krujë dhe pasi kanë kontaktuar me shërbimin e rojes, i kanë kërkuar këtij të fundit që të takojnë specialistin e informacionit të këtij burgu.

Pasi ky i fundit është njoftuar, Astriti ka shkuar tek postoblloku dhe Ardjan Shera, i ka thënë policit të informacionit: ”...kemi marrë vesh se është ushtruar dhunë ndaj të dënuarit Avni Leza....ne kemi qënë në burg dhe këto gjëra nuk ndodhin....si ka mundësi që është ushtruar dhunë...”.

Nga ana tjetër punonjësi i policisë së burgut Fushë-Krujë, i ka shpjeguar se: “...në rastin në fjalë është zbatuar rregullorja pasi i dënuari ka ushtruar forcë ndaj trupës policore...”.

Mirëpo në këtë kohë ka ndërhyrë Bert Shera, i cili me tone të larta i ka thënë policit të informacionit se: “...na kanë thënë se ka patur ushtrim dhune ndaj Bledi Sherës, në kohën që ka prerë damarët...”. Por punonjësi i policisë i ka thënë se: “...ne i shpëtuam jetën, e kemi gjetur të vetëlidhur në krevatin e tijë dhe e kemi çuar në infermjeri ndonëse kundërshtonte e nuk bindej...”.

Por pikërisht në këtë moment Bert Shera, ka përshtyrë në drejtim të policit të informacionit dhe Berti së bashku me Ardjanin, kanë filluar ta fyejnë nga familja me fjalë banale, e kanë kërcenuaar me jetë personalisht, duke i thënë do të vrasim, i kanë kërcënuar familjen e tijë me jetë duke i thënë do të vrasim familjen. I kanë thënë do të vimë në institucion dhe do ju zhdukim të gjithëve.

Këto kërcënime kanë qënë me tone të larta, ku prezent ka qene edhe Elton Shera, por nuk ka folur fare, ku më pas që të tre këta persona janë larguar me një makinë.