Rama i faturon korrupsionin e bashkëqeverisjes LSI-së: Bëmë revolucion dixhital pasi hoqëm nga prehëri atë që ka në fyt Lulzimi

Teksa prezantoi programin për Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin, kryeministri Rama deklaroi se nën qeverinë e tij në këto 7 vite shërbimet kanë pësuar një revolucion dixhital, duke kujtuar se më parë duheshin orë të tëra dhe mik për të marrë një dokument.

Shërbimet online sipas tij kanë ulur edhe nivelin e korrupsionit.

Rama: Kush nuk do të shkojë në sportel nuk ka nevojë të shkojë në sportel se janë 1207 shërbime, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve në xhepin tuaj. Po aq ka rënë dhe korrupsioni, fuqia e ryshfetit, që ekziston patjetër por sot është tkurrur masivisht në nivelin ku ishte përhapur, marrëdhënies qytetar-shtet në sportel. Sot kemi 1.87 milionë qytetar të regjistruar në platformën e-Albania. Sot kemi 7.7 milionë aplikime për shërbimet publike online.

Rama risolli si shembull marrjen e dëshmisë së penalitetit para 7 vitesh dhe sot për të sulmuar ish aleatin e saj LSI.

Rama: Për dëshminë e penalitetit duhet të paraqiteshit në Postë, duhet të paguanit, duhet të prisnit 14 ditë teorikisht, pritja mund të zgjaste dhe 14 muaj. Nëse do të donit ta afronit duhet të tundnit xhixhat, duke rrezikuar të humbisni të aplikoni për punë apo licencë. Sot dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia apo vendi, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh. Kjo ishte deri përpara sesa me ndihmën tuaj ne të hiqnim nga prehri atë gjënë se gjë është, që sot është në fytin e Lulit, që quhet LSI.

Sipas Ramës i gjithë ky revolucion u mundësua falë qytetarëve që çuan për skrap tepsinë në zgjedhjet e 2017.

Rama: Ky është ai revolucioni i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtet-qytetar, ky është ai revolucioni që nuk bëhej dot me të tjerë në prehër, ky është ai revolucioni që ju i dhatë shtysën e fortë dhe vendimtare në 2017, na dhatë mundësinë të jemi ballë për ballë jush pa të tjerë në prehër, të marrin përgjegjësitë tona dhe barrën për gabimet tona por ama t'ju përgjigjemi me të gjitha fuqitë tona. Ky është revolucioni që vazhdon dhe do ta transformojë mandatin e tretë këtë vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit jo për ti marrë atij nga xhepi.

Rama tha se menaxhimi i pandemisë do të ishte i pamundur pa një shërbim të tillë online.

Rama: Imagjinoni sikur Covidi të kishte zbritur 7 vjet më parë, si do merreshin lejet pa dalë dhe dyndur në sportele, si do merreshin lejet për punë dhde urgjenca nëse nuk do të ishte revolucioni dixhital. Si do të hynin në mësim online 95% e  fëmijëve? Kush do ta bënte? Kush mund ta çojë përpara këtë? Ata që mburren me Shqipërinë që lanë, që nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga pse-ja e madhe e shqelmave me të cilat populli i nxori jashtë zyrave. Ata që sot rikthehen me një taborë krushqish njëri më i mirënjohur se tjetri për bëmat që nuk kanë lidhje fare me epokën ku jetojmë  por me epokën e errët dhe me të njëjtin program, u ndryshon vetëm kursi i këmbimit.

I njëjti transformim tha se ka ndodhur edhe për biznesin, i cili të gjitha shërbimet i merr online, zero letra.

Rama: Nëse do të kishim mbledhur letrat që kemi kursyer për të vendosur një stivë do të kishim një mal disa herë më të lartë se Himalajet, është fakt jo opinion.

Për mandatin e tretë, Rama premtoi se të gjitha shërbimet  biznes-shtet dhe biznes-konsumator do të jenë online.

Rama: Sot biznesi ka një shqetësim, e kam dhe unë që si i bëhet që përfundimisht edhe në derën e çdo njërit që ka një biznes të hyjë revolucion dixhital dhe të mos hyjnë më inspektorët dhe taborët e atyre që rëndom për fat të keq vijnë për kontroll për shtetin dhe insistojnë për ryshfetin. Është dhe kjo jo vetëm e mundur por edhe pjesë e planit tonë të veprimit, gjë për të cilën kemi filluar, fiskalizimi. Të gjitha online, një tru elektronik te Agjencia Kombëtare e të Ardhurave ku procesohen të gjitha transaksionet që bëhet çdo sekondë në Shqipëri në kohë reale.