SPAK kërkon 2 vjet burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla
Ish Prokurori i Përgjithshëm rrezikon të dënohet me dy vite burg. Në seancën e kësaj të premteje në Prokurorinë e Posaçme, SPAK ka kërkuar dy vite burg për ish-kreun e akuzës shqiptare, duke qenë kështu zyrtari i dytë i lartë, pas ish Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, ku kërkohet dënim me burgim.
Çështja u gjykua me procedurë të shkurtuar ndaj nga dënimi dy vjet që është kërkuar nga SPAK, nëse ngelet në fuqi edhe nga Gjykata, Llallës i ulet një e treta dhe përfundimisht prokurori Klodian Braho, kërkoi masën me 1,4 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga Shërbimi Publik.
Ish-kryeprokurori u mor i pandehur nga Krimet të Rënda, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Donika Prela, për akuzat e “fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë” ne dy raste. Ai nuk u paraqit vetë në asnjë seance, por u përfaqësua nga avokati mbrojtës Sokol Hazizi.
Duke shmangur pyetjen e dëshmitarëve avokati mbrojtës i ish kryeprokurorit kërkoi të procedohej me gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua nga prokuroria dhe Gjykata e Posaçme.
Procesi ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm në Gjykatën e Posaçme mori rrjedhë pas disa seancave të dështuara, për shkak të rekurseve të bëra prej tij në Gjykatën e Lartë, ku Llalla kundërshtoi kalimin në gjyq të çështjes, si edhe përjashtimin e gjyqtares, kundërshtime që u refuzuan.
Ndërkohë ndaj ish kryeprokurorit ka nisur edhe një tjetër proces për pastrim parash, por kjo çështje i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Tiranës .
Gjykata Speciale ka sekuestruar një apartament banimi në Durrës me sipërfaqe 67.2 m2, tokë arë me sipërfaqe 4.5 mijë m2, tokë arë me sipërfaqe 12 mijë m2 në Tiranë, tokë arë me sipërfaqe 3 mijë m2 në Tiranë si dhe një tjetër tokë arë, me sipërfaqe 2.2 mijë m2 ndodhur në Tiranë, që të gjithë në pronësi të Adriatik Llallës.