"Dënim maksimal, më morën dritën e syrit", e ëma e Marsel Osmanit gjen paqe pas arrestimit të autorit të tretë të vrasjes
5 vjet pas vrasjes në mënyrë makabre të të birit, Adelina Trimi, nëna e Marsel Osmanit ka arritur që të shohë para drejtësisë 3 personat që i morën jetën 23-vjeçarit, me 29 gusht 2016.
Policia e Korçëss ka arrestuar Angel Miçanin, i cili e çon në tre numrin e personave të akuzuar për krimin.
Më herët për këtë krim ishin arrestuar Olsi Zyberi, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe Llazar Dine.
Tre personat e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin fillimisht dhunuan në mënyrë barbare të riun pas një sherri të nisur brenda ambienteve të lokalit me muzike live, në afërsi të fshatit Dishnicë.
“Djalin e masakruan, e kanë goditur me leva dhe dru, kishte shenja në të gjithë trupin, në kokë ishte goditur me levë dhe djali kishte vdekur në vend jo në spital. Unë e dija që i përfshirë ishte Angel Miçani sepse ai e goditi me makinë dhe më pas me leva, duke i thyer edhe brinjët. Kam 5 vjet që kam kërkuar të vihet para përgjegjësisë Angeli sepse në CD që paraqisja në gjykatë dukej që ai ishte bashkëpunëtor. Më në fund drejtësia u vendos, falë mediave që e kanë trajtuar këtë ngjarje të rëndë që i ndodhi djalit tim”.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet e vëna në dispozicion për Ora News nga familja e viktimës, sherri ka nisur rreth orës 20:00 ndërsa në orët e para të mëngjesit, gjithçka ka agravuar në vrasjen e 23-vjeçarit Marsel Osmani.
Konflikti nisi mes Osmanit dhe pronarit të tallavasë, Olsi Zyberi brenda ambienteve të lokalit, dhe u zhvendos jashtë tij.
Pas pak minutash, në sherr përfshihet edhe badigardi Llazar Dine, Angel Milçani, tashmë i arrestuar dhe një tjetër person i identifikuar si Genci Rustemi, ndërsa përdoren edhe mjete të forta.
Sipas dëshmive të kohës, shkak për sherrin që degradoi në vrasje u bë një femër, ndërsa viktima ishte nën efektin e alkoolit dhe lëndëve të dyshuara narkotike.
Tanimë familja e viktimës kërkon drejtësi maksimale për autorët.
“Kërkoj dënim maksimal për të tre autorët sepse më morën dritën e syve, unë vetëm atë djalë kisha, dhe tani jam e vetme”.