Billa shkarkon gjyqtaren Enkelejda Hoxha, avokati: Do ta ankimojmë, vrasja e tij nuk është pasojë e lirimit
Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha, duke pranuar kështu kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Në seancën e zhvilluar ishte e pranishme vetë gjyqtarja së bashku me avokatin.
Duke folur pas vendimit, Ardian Visha, deklaroi ndër rreshta se çështja është e ndikuar politikisht, ndërsa paralajmëroi ankimimin.
"Politika ka një vëmendje të posaçme në këtë rast. Natyrisht për innteresat e saj. A ka ndikuar kjo vëmendje dhe trysni te anëtarët e KLGj nuk jam në gjendje ta provoj. Dy çështje janë ato për të cilat është gjyqtar gjyqtarja në KLGJ, dy kazuse. Në njërin nuk ka asnjë shkelje ndërsa në tjetrin shkelja u gjykua e tillë për tu shkarkuar. Do të bëjmë ankimin patjetër".
Si argumenta të ankimit, avokati renditi: "Ja disa, së pari material. Kemi kontestuar raportin.Do të shohimn arsyetimin e KLGJ dhe pastaj do të gjejmë si shkaqe materiale dhe proceduriale".
Lidhur me lirimin e Hekuran Billës nga gjyqtarja, avokati thotë se ky rast padrejtësisht konsiderohet si një rast me pasojë.
"Vrasja e të ndjerit nuk është një pasojë e lirimit të para kohe me kusht. Se bëhesh viktimë dhe kjo të konsiderohet si pasojë është padrejtësi që këtu. Në atë rast padyshim që ka komplekse për shkak të kontraditave mes dy sistemeve, atij britanik dhe atij shqiptar. Këto konflikte mes dy rregullimeve ligjore të dy vendeve kanë ngrirë.Kam pranuar gabimin e gjyqtares te llogaritja e paraburgimit".
Lidhur me pretendimet e babait të gjyqtares Hoxha se ajo është kërcënuar, avokati tha.
"Nuk jam zëdhënësi i babait të gjyqtares, jam mbrojtësi i gjyqtares. Nuk kam marrë asnjë shqetësim të tillë nga ana e saj. I ati ka gjithë mirëkuptimin tim për ndjeshmërinë e madhe që ka rasti dhe padrejtësinë e madhe që ka rasti në ekstremin e sigurimit të gjyqtares që është i pamerituar".
Si në çdo seancë jashtë KLGJ ishin i ati dhe vajza e gjyqtares.
Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.
Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.
Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.
