Rimbursimi i paketave anticovid, proces i destinuar të dështojë

Për jo pak njerëz do të ishte një ndihmë e konsiderueshme rimbursimi i parave të shpenzuara për kurim nga infektimi me Covid 19, sigurisht nëse një proces i tillë do të funksiononte siç duhet apo nëse do të ishte ideuar për t’u ardhur vërtetë në ndihmë pacientëve por mesa duket nuk është kështu. 

Ishte Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e cila në nëntor të 2020-ës deklaroi se qeveria shqiptare me vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me Covid19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi, kishte parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh për këtë rimbursim.

Sipas saj vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dy skemat e mjekimit është 125 dollarë. Por pas rreth 5 muajsh kur qeveria deklaroi se do të rimbursonte të gjithë pacientët që trajtohen në banesë me Covid 19, të siguruar ose jo, një skemë e tillë lë shumë për të dëshiruar.

Të paktën kështu shprehen disa pacientë të cilët u infektuan me Covid 19 dhe u trajtuan klinikisht nga shërbimet shtetërore të shëndetësisë në vend. 

Në mbi 23 persona të grupmoshës 16- mbi 70 vjeç, të intervistuar në lidhje me këtë çështje, rezulton se asnjë prej tyre nuk ka marrë deri tani rimbursim të barnave të përdorur edhe pse shumica prej tyre i përmbush kriteret për të siguruar rimbursimin dhe kjo për disa arsye; mungesë totale e besimit se rimbursimi i premtuar do t’u zgjidhte hallet e tyre (sidomos ato financiare), procedurat burokratike me të cilat janë ndeshur ndër vite në sektorët shtetërorë e për më tepër gjatë pandemisë, mungesën e një informacioni të saktë dhënë nga personat/autoritetet e duhura, problemet e hasura në orientimin e duhur apo jo, probleme të hasura me mjekun e familjes, lodhje dhe ezaurim nervor në pritje për të zgjidhur qoftë edhe një ndër shumë shqetësimet që kanë patur gjatë dhe pas infektimit me Covid, pamundësi për të aksesuar mjetet e teknologjisë apo mungesë informacioni për të aplikuar në platformën e-albania (sidomos mosha e tretë), e të tjera. 

Kështu psh, nënë Sania, një pensioniste 67-vjeçare ndërsa tregon për stresin që kaloi ndërsa mësoi se ishte infektuar me Covid 19, thotë se ka dëgjuar për rimbursimin por nuk beson se do të përfitojë aq sa për të kompensuar shpenzimet që pati gjatë periudhës së infektimit, por përveç kësaj ajo nuk ka as dijeni se si mund të aplikohet online dhe për këtë arsye s’ka ndërmend të merret me këtë çështje. 

Gjatë kurimit, pensionistja, banore në Tiranë, tregon se ka shpenzuar mbi 27 000 lekë (të reja) dhe se teksa konsultohej me mjeken e familjes nuk është informuar për rimbursimin e paketave anticovid edhe pse kjo e fundit duhet ta bënte një gjë të tillë.

Mungesën e komunikimit dhe të besimit me mjekun e familjes e konfirmon edhe Alesia, 23 vjeç, nënë e një fëmije e cila u infektua së bashku me bashkëshortin e saj. 

’Të komunikoja me mjekun e familjes ishte një ndër gjërat më të rëndësishme që duhet të kisha bërë por duke qenë se nuk kam patur besim te mënyra e mjekimit që japin mjekët këtu, pasi kam dëgjuar plot raste që bluzat e bardha kanë rekomanduar mjekim edhe kur nuk ka qenë e nevojshme apo kanë dhënë mjekim jo të duhur, kam refuzuar të konsultohem me mjekun e familjes,’’ tregon Alesia e cila gjithashtu është skeptike edhe për efikasitetin e e paketave anticovid.

 “Nuk jam fare në dijeni për vendimin e qeverisë për paketat rimbursuese. As nuk do të aplikoja për to dhe mendoj që ato nuk rimbursojnë 100 % barnat e përdorur nga qindra- mijëra pacientë, qoftë edhe vetëm për vitaminat që kemi përdorur gjatë kurimit,’’vijon më tej 23-vjeçarja.

Më dramatike është situata për familjen e Sonilës (40 vjeç), e cila e kaloi këtë sëmundje së bashku me të gjithë anëtarët e familjes së saj ndërsa jeton me babain, nënën, djalin dhe nipin e saj.

Mjaft e revoltuar dhe e indinjuar për atë çfarë kaloi vetëm pak javë më parë, ajo tregon se ky virus jo vetëm i bëri të përjetojnë një situatë shumë të vështirë shëndetësore, por gjithashtu i dëmtoi ata mjaft rëndë ekonomikisht pasi u infektuan të gjithë në familje dhe përveç vitaminave, u është dashur të përdorin antibiotikë, kortizonikë e një sërë medikamentesh të tjera.

Në total kjo familje ka shpenzuar mbi 2 mln lekë (të vjetra) për kurim duke përfshirë edhe shërbimin infermieror për të kryer injeksionet në shtëpi.  

Mbërritur prej pak kohësh nga Italia në Shqipëri, Sonila tregon e dëshpëruar për mungesën e informacionit i cili sipas saj së pari duhej të merrej nga mjeku/mjekja e familjes, për shpenzimet e mëdha financiare që patën gjatë infektimit dhe që sipas saj rimbursimi i përcaktuar nga qeveria nuk do t’u kompensonte as një përqindje të vogël të atyre që shpenzuan financiarisht apo për mungesën e dëshirës për t’iu adresuar institucioneve shtetërore (mungesë besimi për të gjetur zgjidhje) etj. 

E bindur (ajo dhe familjarët e saj) se procesi i rimbursimit nuk funksionon fare si skemë, Sonila tregon për komunikimin aspak korrekt dhe shumë mosbesues me shërbimin e ofruar nga mjekët e familjes. 

“Është një lëmsh i vërtetë, nuk japin informacionet e dhe rekomandimet e duhura se çfarë duhet të bëjë një pacient apo të të orientojnë se si duhet vepruar për të mundësuar rimbursimin e ilaçeve. Do të ishte mirë që të paktën pensionistët të rimbursohen patjetër pa u ndeshur me një sërë burokracish apo paqartësish nga shërbimet shëndetësore. 

Mjekët e familjes madje të rekomandojnë edhe vendin (klinikën apo laboratorin) ku të bëhen analizat e kërkuara dhe kjo sipas interesave të tyre, të dërgojnë edhe infermieren e përcaktuar po prej tyre për të kryer injeksione apo kontrolle të posaçme në shtëpi dhe kjo sigurisht kërkonte kosto financiare por nuk të informojnë që pasi të kesh kryer tamponin e të kesh rezultuar pozitiv, një pjesë e barnave do të rimbursohet nga shteti. 

Ndërkaq një pjesë e analizave që mund të jenë kryer në shërbimin privat nuk njihen nga institucionet shëndetësore për të mundësuar më pas rimbursimin e ilaçeve. Nëse vërtetë duan të rimbursojnë dhe të ndihmojnë pacientët, përse është e nevojshme kryerja e tamponit ndërkohë që të gjitha analilzat tregojnë infektimin me këtë virus? Për mendimin tim, Covid 19 është kthyer në një biznes si nga mjekët e familjes ashtu edhe nga infermierët dhe unë nuk besoj fare në shërbimin e ofruar nga institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të këtë arsye zgjodha të kurohem në shtëpi edhe pse pata jo pak probleme shëndetësore si pasojë e virusit,’’ rrëfen Sonila.

Ndërkaq edhe sipas njoftimeve dhe udhëzimeve të shërbimeve shëndetësore në vend, është mjeku/mjekja e familjes që përshkruan barnat sipas protokolleve dhe udhëzimeve të përcaktuara, në varësi të stadit të sëmundjes së pacientit duke i njoftuar më pas ose rekomanduar edhe për rimbursimin e ilaçeve covid.

Kohëzgjatja e mjekimit është deri në 1 muaj dhe receta e rimbursuar përfitohet sipas sistemit aktual të rimbursimit, në farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor por jo në çdo rast duket mjeku i familjes e kryen këtë shërbim.

Kështu rezulton edhe për Gentin 48-vjeçar i cili u infektua së bashku me të birin (16 vjeç) dhe bashkëshorten. Edhe pse u konsultuan të gjithë me mjekun e familjes, ata nuk morën rekomandim për procesin e rimbursimit të paketave covid.

Ai shpenzoi 300 000 lekë (të vjetra) për kurimin individual dhe rreth 120 000 lekë (të vjetra) për të birin dhe mbi 300 000 lekë për bashkëshorten ndërsa thotë se për ekzistencën e një pakete të tillë rimbursuese dëgjoi gjatë intervistës për këtë temë por edhe sikur të ishte në dijeni për të, nuk do të aplikonte pasi pak beson për funksionalitetin e një procesi të tillë apo për shumën e rimbursimit.

Ndërkaq mjekja e familjes, dr. Jonida e cila me shërbimin e saj mbulon rreth 3 000 banorë të kryeqytetit, thotë se pacientët janë të informuar që përfitojnë paketa anticovid por janë të painformuar për përmbajtjen dhe kriteret që duhet të plotësojnë për t’i përfituar ato.  Ajo shton gjithashtu se ato (pacientët) e dinë shumë mirë që duhet të drejtohen tek mjeku i familjes për të mundësuar më pas procedurat për rimbursim. Dr. Jonida thotë se ka plotësuar shumë receta për rimbursim por nuk mund të thotë numrin e saktë të tyre.   

Në bisedat e zhvilluara me disa mjekë familjeje, 2 prej tyre pranojnë se skema e rimbursimit funksionon por nuk japin të dhëna në lidhje me personat e referuar për rimbursim dhe sa prej tyre mund ta kenë marë atë.

Bindjen për funksionimin e plotë të skemës duket se e ka vetëm Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila e ftuar në emisionin “Opinion’’ në tv. Klan deklaroi se deri tani në vend kanë përfituar nga paketat anticovid rreth 5000 persona.

Ajo shtoi se sa i përket rimbursimit, nuk ka asnjë barrierë në përfitimin e paketave.

E megjithatë nga të dhënat e disponuara në farmaci të ndryshme (prej ku mundësohet edhe rimbursimi i barnave) në kryeqytet, rezulton se një numër shumë i vogël pacientësh kanë marë rimbursim të ilaçeve covid dhe kryesisht për përdorimin e vitaminave.

Farmaciste Elona në një nga farmacitë në periferi të Tiranës thotë se kjo skemë nuk funksionon pothuajse fare. Ajo tregon se ka patur vetëm një rast të rimbursimit dhe bëhej fjalë për një punonjës të Gardës Kombëtare, ndërsa shumë pacientë të saj nuk e kanë marë këtë shërbim. Po kështu konfirmon edhe farmacistja Jola e cila shërben dhe punon në një prej lagjeve më të populluara të kryeqytetit siç është zona e “Komunës së Parisit”.   

‘‘Është një skemë që nuk funksionon thuajse fare dhe në ato pak raste kur ka funksionuar, është thuajse qesharak rimbursimi. Vlerat që duhen rimbursuar nga shteti për skemën e lehtë dhe skemën e moderuar të Covid është e përcaktuar në udhëzimin e qeverisë por ndërkohë vlera reale që i duhet të paguajë një pacienti për të marë në farmaci barnat respektivë, është shumëfish më e lartë,’’ shpjegon farmaciste Jola.

Ajo tregon se që nga muaji nëntor, kohë kur u bë e ditur nga qeveria shqiptare edhe fondi për rimbursimin e ilaçeve covid, ka patur 3 raste të rimbursimit, 1 në muajin dhjetor e 2 në muajin janar dhe mosha mesatare e tyre ishte 30-40 vjeç, ndërkohë që kanë patur shumë herë më shumë raste të konfirmuara me Covid por sipas saj, mjeku nuk i ka rekomanduar për rimbursim.

Sipas saj një pjesë e pacientëve kanë marë mjekime apo barna për medikamente që nuk përfshihen fare në skemën e rimbursimit.  Farmacistja thotë se ka patur raste gjithashtu të personave që kanë kërkuar rimbursim mbi bazën e protokollit mjekësor dhe kurës së dhënë nga mjeku por nuk kanë përfituar rimbursim pasi nuk kishin kryer tamponin në shtet, kriter që duhet plotësuar për të siguruar rimbursimin. 

Pyetjes se sa ka kushtuar mesatarisht /sa kushton trajtimi/kura me medikamente për një pacient të prekur nga covid, farmacistja Jola i përgjigjet; “Vetëm medikamentet kanë kushtuar nga 10 000 lekë deri në 100 000 lekë (të reja) për person. Tek kjo vlerë përfshihen (medikamente, suplemente si vitaminat, oximetri dhe aparati i oksigjenit me qera që e porosisin tek ne (pasi po të blihet kushton mbi 1000 euro).  Nëse janë rimbursuar, edhe ato pak raste që ka patur deri tani, kanë përfituar vetëm 15000 – 17 000 lekë (të vjetra), shumë që është e papërfillshme për pacientët të cilët edhe për vitaminat mund të kenë shpenzuar shumë më tepër," thotë ajo.

Në udhëzimin e qeverisë saktësohen edhe medikamentet që përfshihen në rimbursim por një pjesë e pacientëve kanë përdorur barna që nuk janë pjesë e paketave anticovid dhe për këtë arsye nuk përfitojnë asnjë lloj rimbursimi.

Nga komunikimi që ka patur dhe ka çdo ditë me qytetarë, farmacistja tregon se pacientët nuk janë të informuar për paketat anticovid apo se si duhet të procedojnë për të siguruar rimbursimin e ilaçeve Covid dhe se përgjithësisht informohen në momentin që drejtohen në farmaci.

Edhe pse qeveria ka përcaktuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh për rimbursimin e trajtimit ambulator, problemet e hasura në përditshmëri dhe jo nga një numër i paktë i qytetarëve, duket se shumica e pacientëve nuk do të mund të kursejnë nga xhepat e tyre qoftë edhe një shumë modeste të hollash, ndryshe nga ç’ka parashikuar qeveria aktuale.

Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID19. Pacienti nuk ka përse të shkojë fizikisht në qendër shëndetësore për përfitimin e paketës, por mund të aplikojë në platformën e-albania për ta marë këtë shërbim.

Receta e rimbursueshme kundër COVID-19, tërhiqet elektronike në e-Albania

Menjëherë pas vendimit të qeverisë për rimbursimin 100% të paketës së barnave për të prekurit nga COVID-19, u implementua shërbimi i ri online, në e-Albania, tek  i cili pacientët mund të pajisen elektronikisht me recetën e mjekimit kundër Sars-Cov 2.

Pasi të kenë plotësuar formularin elektronik në e-Albania, në zbatim të VKM-së për rimbursimin e paketës së barnave për trajtim ambulator në banesë, për të diagnostikuarit me COVID-19, përfitojnë vetëm pacientët që rezultojnë pozitivë me COVID-19, pas bërjes së tamponit dhe kur mjeku i familjes konfirmon nevojën për mjekim.

Më pas me kodin e recetës i cili është unik për çdo pacient, i sëmuri paraqet recetën tek farmacisti për të përfituar një nga 2 skemat e barnave me rimbursim, sipas përshkrimit të mjekimit nga mjeku i familjes”.

Një procedurë e tillë mund të lexohet lehtësisht e aplikueshme për dikë që e ka mundësinë për të aksesuar mjetet e teknologjisë apo për grupmosha të caktuara por nu rezulton të jetë kështu për jo pak qytetarë që nuk njihen fare me këtë shërbim dhe nuk mund të aplikojnë, e për pasojë rimbursimi për paketat anticovid edhe sikur të kenë plotësuar kushtet e paracaktuara, nuk do të jetë i mundur për to. Fushata e premtimeve të dhëna kohë e pa kohë por edhe të pambajtura duket se do të vazhdojë të funksionojë më së miri në vendin tonë pavarësisht pasojave që lënë pas.