Kryemadhi: Qeveria ka favorizuar importin, produktet vendase më të shtrenjta

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi prezantoi ditën e sotme Etnor Krakullin si kandidat për deputet të LSI në qarkun e Fierit.

Kryemadhi deklaroi gjatë fjalës së saj se qeveria ka ndjekur politika të gabuara sa i përket prodhimeve vendase, të cilat theksoi ajo, sot janë më të shtrenjta se ato të importit.

Kryemadhi tha se tek plani i partisë së saj një ndër pesë prioritet e saj është karta e fermerit.

"Një nga problemet kryesore është largimi i të rinjve dhe të rejave, mungesa e të gjithë investimeve që duhen për infrastrukturën, uji, kanalizimet, rrugët dhe gjithë rrejti i shitjes së prodhimeve.

Ajo që unë dua të theksoj, ka të bëjë me përfshirjen dhe angazhimet që ne duhet të marrim në zona të caktuara.

 Si LSI kemi pese prioritete që kanë të bërë jo vetëm me ekonominë por edhe me kartën e fermerit që është një nga 5 prioritetet tona.

Ne duhet të konsumojmë prodhimet tona, por me politikat që ka ndjekur qeveria prodhimet tona sot janë më të shtrenjta se prodhimet e importit sepse qeveria favorizon oligarkët, favorizon importuesit dhe nuk favorizon fermerin shqiptar.

Shqiptarët shkojnë dhe blejnë produkte importi sepse janë shumë më të lira se prodhimet vendase.

Prodhimet e importit janë më lirë sepse qeveria subvencionon importin, i krijon hyrjen pa doganë, ndërkohë që prodhimet tona i shkatërron," u shpreh Kryemadhi.

Për shkak të politikave të gabuara të qeverisë, sipas Kryemadhit shqiptarët janë larguar nga vendi, bizneset janë mbyllur dhe fermerët i hodhën prodhimet e tyre nëpër kanale.

"Edi Rama dhe Rilindja në këto tetë vite i largoi shqiptarët nga vendi i tyre, të rinjtë dhe të rejat i largoi, bizneset i mbylli, të gjithë fermerët ku ishin dhe ku nuk ishin, të gjithë prodhimet e tyre i hodhën kanaleve. Gjënë e gjallë njerëzit po e shesin, sepse nuk e mbajnë dot."