Turizmi në krizë, Çerenishti: 2020 vit i vështirë, pozitiv zhvillimi i zgjedhjeve në prill dhe jo në qershor

Për Ora News, nënkryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Fatos Çerenishti ka folur thellësisht për krizën në të cilën po kalon ky segment për shkak të pandemisë.

Çerenishti ka thënë se viti që lamë pas ka qenë shumë i vështirë, teksa shton se për industrinë e turizmit është pozitive fakti që zgjedhjet do të mbahen në prill, duke i dhënë mundësinë turizmit të rimëkëmbet.

Çerenishti: Viti 2020 ka qenë një vit shumë i vështirë. Menjëherë pas tërmetit që ka qenë një lloj solidariteti që tregoi industria e turizmit për të mirëpritur të prekurit nga tërmeti. më pas riatdhesimi i shqiptarëve që ishin në perëndim dhe gjithë botën që u bë po nga hoteleria shqiptare që tregoi përsëri një bujari të shtuar, sepse nuk ishin dy momente në të cilat hoteleria mund të fitonte, por ishte solidaritet dhe humanizëm për qytetarët e vet. Ashtu sikurse duhet të kishte çdolloj industrie në Shqipëri. Industria e turizmit tregoi vlerat e veta përsa i takon pjesës së fillimi të sezonit që ishte i vështirë. Më pas pandemia bëri punën e vet.

-Si i shihni masat përgatitore nga ana e qeverisë për nisjen e këtij sezoni?

Çerenishti: Sigurisht që politika është përqendruar në pjesën e zgjedhjeve. Si gjithmonë biznesi shqiptar ka filluar të marrë masat paraprake për t'i paraprirë një sezoni që mendohet se do të jetë më mirë se i kaluari. Është iniciativa e vetë biznesmenëve ajo që do të bëjë që të kemi një turizëm të mirë. Nga ana politike është pozitive që zgjedhjet nuk janë në qershor si më parë, por janë në prill. Ndaj është një periudhë që industria e turizmit do të kalojë në normalitet.

Intervista në studio për Arnold Kariqin, përgatiti për online Tea Islamaj.