Durrës, banorët e pallatit 6 katësh të shembur nga tërmeti protestë para bashkisë: Të ndërtohet ku ishte

Banorët e pallatit 6 katësh  të shembur nga tërmeti i 26 nëntorit, në katin e parë të të cilit ishte lokali "Barons", brenda rrënojave të të cilit humbën jetën katër qytetarë, protestuan sot para  bashkisë së Durrësit.

Ata kërkojnë që pallati i tyre të rindërtohet në truallin ku ishte më parë, duke u shprehur kundër vendimit të Bashkisë që kërkon të ndërtojë memorial në sheshin e liruar nga shembja e pallatit.

Banorët e pallatit nr 1032, lagja 6, kërkojnë me çdo kusht të mos u zihet sheshi pasi është pronë private.

"Ne do të protestojmë dhe do ta çojnë problemin në gjyq" thonë ata, duke shtuar se kanë dyshime se sheshi do të shfrytëzohet më vonë për ndërtime nga firmat preferenciale të Bashkisë.

Kjo e fundit u ka dërguar një shkresë se ata do të strehohen në banesat kolektive që do ndërtohen në Durrës, nderkohë që për vendin thanë se nuk i kanë vënë në dijeni.