"Shqipëria nuk ka klasë politike" Shehi në RTV Ora: Shteti nuk është punë amatorësh, të ndryshohen mekanizmat

I ftuar në studion e RTV Ora, Dash Shehi ka thënë se vendi ka nevojë për një ndryshim të madh politik, për të pasur një demokraci funksionale. Kliko për të parë intervistën e plotë në youtube

Shehi ka shtuar më tej se në Shqipëri nuk ka klasë politike, ndërkohë që vijon duke thënë se pushtetarët duhet t'i marrin me seriozitet punët e shtetit.

Shehi: Po merren të gjithë me klasën politike, si ta rinovojmë. Unë uroj njëherë që të kemi një klasë politike se ne nuk kemi fare. Është gjë e madhe kjo. Ne kemi një çetë të çartallosur dhe do të jetë mirë që opozita të kontribuojë këtë radhë që të ngrejë një shtresë politikanësh profesionistë që t'i marrin me seriozitet punët e shtetit. Punët e shtetit nuk janë kalimtare, për të vjedhur 4 vjet.

Duhet të mos jetë më kështu. Nuk është punë amatorësh kjo, se shoh këtë vrullin e ri që ka ardhur dhe që duan të rinj. Shyqyr që duhen të rinj, por na duhet edhe eksperienca, na duhet mendja, na duhet dhe qëndrueshmëria, koherenca. Përtej teorisë politike, unë gjykoj se ka ardhur dita të bëjmë një ndryshim të madh. Shqiptarët pastaj nëse duan ta quajnë rotacion apo diçka tjetër, unë them që kemi nevojë për një ndryshim të madh. Jo vetëm qeverisjen që kemi sot, por edhe vetveten, sepse edhe ne që do të vijmë nesër, nuk është se jemi ëngjëj të gjithë. Them të ndryshohen mekanizmat me të cilën kontrollohet pushteti, janë gjëra shumë të rëndësishme për një udhëtim drejt një demokracie funksionale.

Intervista në studio për Beti Njumën, përgatiti për online Tea Islamaj.