"Lista e opozitës është politike" Shehi: Do kisha shtuar disa opinionistë, imazhi projektohet nga Tirana

Dashamir Shehi për RTV Ora ka thënë se lista e kandidatëve opozitarë, është një listë e mirë politike, por jo me shumë intelektuale.

Sipas Shehit, Tirana duhet të kishte më shumë figura të tilla të përfshira, teksa shton se do të donte të shtonte edhe shumë opinionistë si kandidatë.

Shehi: Lista opozitare është një listë e mirë. Nuk është lista ideale që do të donim për Shqipërinë që do të donim të ishte e mbushur me intelektualë. Por është një listë politike që na e ka imponuar koha, mënyra për të bërë koalicion, detyrimi për të parë hallin që është përballë. Unë do të kisha përlyer që lista e Tiranës të kishte intelektualë.

-Keni një emër që do të kishit dashur ta kishit në atë listë?

Shehi: Plot. Do kisha marrë disa nga këto opinionbërësit. Basha ka bërë shumë mirë për ata që ka futur, siç ka futur Flutura Açkën në Elbasan. Por ndryshimi kryesor, imazhi që projektohet për Shqipërinë zakonisht projektohet nga Tirana. Përtej kësaj, Tirana është një listë politike. Është shumë e mirë dhe do uroj që pas nesh të vijnë më të mirë.

-Është e aftë kjo listë politike që të konkurrojë listën problematike të PS?

Shehi: Po qe për cilësi, nuk po bëjmë garën sepse duket sikur po bëjmë garë personale. Unë gjykoj që opozita ka një funksion tjetër, jo vetëm që të prodhojë një imazh tjetër përmes listës, por që të prodhojë një program të mirë, një frymë besimi te qytetarët që ne do t'i ndryshojmë gjërat. Ditën që nuk prodhojmë këtë, nuk vlejnë shumë listat. Një person i vetëm nuk ngre dallgë. Ato i ngre kohezioni politik, programi, konsumi i kundërshtarit.

Intervista në studio për Beti Njumën, përgatiti për online Tea Islamaj.