“Rindërtimi klientelist”, banorët e Vorës ankohen për grabitje të pronave, Basha: Drejtësi pas 25 prillit

kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Vorë dhe Kamëz ku u takua me qytetarë por dhe me banorë të dëmtuar nga tërmeti. Banorët iu ankuan për klientelizëm dhe për grabitjen e pronës.  Basha premtoi se pas 25 prillit kjo situatë do të ndryshojë ndërsa tha se procesi i rindërtimit do të jetë prioritet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u prit me ovacione në Kamëz, ku dhjetëra mbështetës ishin mbledhur  në sheshin para Pallatit të Kulturës. 

"E kam prekur dhimbjen tuaj si prindër, i kam, prekur vuajtjet tuaja, i kam parë lotët në sytë e nënave dhe motrave tuaj. Me 25 prill vjen dita e gëzimit."

Thuajse e njëjtja pritje më herët iu rezervua edhe në Vorë.

"Rama ik!" ishin thirrjet e qytetarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi takime me banorë të dëmtuar nga tërmeti.

Ata denoncojnë se edhe pse procesi i rindërtimit ka filluar me vonesë, ai po bëhet duke u bazuar në interesa personale, pasi banorët e Vorës po përballen me grabitjen e pronave private nga eksponentë të qeverisë.

"Nuk ju del kjo toka për të ndërtuar atë që duan duan ta shkatërrojnë."

Basha: Duan të prishin kopshtin për të bërë pallat?

"Po, po."

Pasi u njoh me këtë shqetësim, Basha u zotua se qeveria e dalë pas 25 prillit, si prioritet kryesor do ketë rindërtimin.

"Ndërtimi i shtëpive apo apartamenteve në zonat urbane do të bëhet me transparencë absolute duke respektuar pronat e qytetarëve. Gjithçka tjetër që është bërë deri tani do të shkojë para drejtësisë. Të prishësh kopshtin e  fëmijëve, të grabisësh pronën e qytetarëve këtu në mes të Vorës, e njëjta gjë më thanë në mes të Durrësit, e njëjta gjë në Kombinat."

Kryetari i opozitës  tha  gjithashtu tha se do të bëhet shpërndarja me shpejtësi e parave në dorë për të gjithë ato familje që mund ta ndërtojnë, ta riparojnë, apo ta rindërtojnë nga fillimi shtëpinë në zonat rurale.