Banorët protestë kundër bashkisë së Tiranës: S'po na lënë të jetojmë në shtëpitë tona
"Banorët e një pallati në rrugën "Mine Peza" në Tiranë janë ngritur në protestë pasi kundërshtojnë ndërtimin e shkollës "Hasan Vogli", sipas projektit të ri."
Shkak është bërë mungesa e distancës mes objektit dhe banesave të tyre.
Thonë se me ngritjen e godinës ballkonet dhe dritaret do të bllokohen, ndaj të revoltuar fajësojnë Bashkinë e Tiranës që nuk po i lë të jetojnë në shtëpitë e tyre.
“Po na nxjerrin nga shtëpitë. S’po na lënë të jetojmë në shtëpinë tonë se jashtë është ferr.”
Sipas tyre projekti i ri u cënon banesat pasi po ndërtohet jashtë rregullave teknike.
“Afrohet një metër e gjysmë në penxhere dhe ballkone, duke të zënë të gjithë hapësirën, dritën, ajrin, diellin. Jam gati dhe i përgatitur psikologjikisht që ta shes shtëpinë. Investimet që bëra në biznes, ti shes të gjitha e të marr valixhet e të iki.”
Për problematikën i janë drejtuar edhe Bashkisë së Tiranës por janë ndeshur me burokraci si përgjigje.
“Drejtoritë brenda të njëjtit institucion komunikojnë shkresërisht në limitet e afatit kohor.”
Banorët shprehen të vendosur për të marrë një zgjidhje të situatës përmes rrugëve ligjore.
“Të gjithë hapat ashtu siç i ka ligjet dhe rregullat shteti.”