Rama dy fjalë për Metën pas përplasjes në zyrat e FRD: Ishte një shfaqje klinikisht e rëndë nga Meta
Këtë përballje të Preisdentit Ilir Meta me policinë bashkiake për të mbrojtur selinë e FRD-së, Edi Rama e ka parë si një shfaqje të rëndë. Situata e tensionuar mes dy zyrtarëve të lartë të shtetit ka avancuar në akuza, madje deri në diagnoza të rënda shëndetësore.
"Jemi në kushtet e një shfaqjeje që është klinikisht e rëndë dhe që natyrisht kërkon solidaritet njerëzor me këdo qoftë, dhe jo më me dikë që është Presidenti i Republikës dhe që ka çrregullime dukshëm të rënda,” tha Rama.
Edhe pse fushata nuk ka nisur zyrtarisht, mes kundërshtarëve politikë kanë nisur “ethet” elektorale. të rinjtë demokratë të njësisë 8 në kryeqytet e kanë pritur me protestë vizitën e Kryeministrit në shkollën “4 Dëshmorët”.
Protestat në Shqipëri nga kundërshtarët politikë cilësohen si tërbim nga partia në pushtet, dhe në këtë rreth nuk përjashtohet as kryetari i Rilindjes Edi Rama.
“Vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq kështu që do të na duhet të bashkëjetojmë me këtë periudhë, me shfaqej tërbimi të kësaj natyre që natyrisht janë shprehje dëshpërimi.
Ajo që ka rëndësi është që të mundim armikun e padukshëm, që është armiku i gjithë shqiptarëve, mundjen e kundërshtarëve të dukshëm e kemi më të lehtë," vazhdoi Rama.
Për të “shpëtuar” nga situata e pakëndshme, pasi mbaroi fjalën Kryeministri i përshëndeti protestuesit me ngritjen e dy gishtave, simbolin e demokracisë.
Nëse e keni humbur: Meta “përzë” policinë ndërpret aksionin për “marrjen” e selisë FRD: Dilni përjashta o ju çoj në burg me duart e mia