Nis vaksinimi i mësuesve në Tiranë, Manastirliu: Të hënën shtrihet në të gjithë vendin
250 mësues në 5 shkollat e Tiranës janë të parët që do të vaksinohen me dozat anticovid të AstraZeneca.
Në shkollën 4 dëshmorët u krye procesi këtë të shtunë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Pavarësisht se disa vende e kanë pezulluar vaksinimin me AstraZeneca, kryeministri Rama sqaroi se në shqipëri ka ardhur një seri e sigurt vaksinash, dhe se ende nuk ka asnjë lidhje mes fataliteteve dhe injektimit të saj.
"Nuk ka asnjë bazë, nuk ka asnjë të dhënë që të lidhë disa ngjarje shëndetësore që kanë ndodhur tek disa persona me ndonjë problem të vaksinës, por bëhet fjalë për një seri të veçantë, ne kemi një seri tjetër këtu, që është pezulluar për të bërë verifikimin," tha Rama.
Pas inspektimit të procesit, ministrja e Shëndetësisë Ogrta Manastirliu deklaroi se të hënën do të vijojë në të gjithë vendin, dhe se koordinimi do të bëhet sipas njësive.
"Nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, në qendrat shëndetësore të cilat do të organizohen ashtu sikurse dhe kryeministri e përmendi në shkollat përkatëse vaksinimin," tha Manastirliu.
Manastirliu gjithashtu shpjegoi edhe kushtet në të cilat mbahet vaksina dhe se kur do e marrin dozën e dytë mësuesit.
"Është një vaksinë e cila përdoret për çdo moshë, pra mbi 18 vjeç ndaj me vaksinën AstraZeneca do të vijojmë me vaksinimin e grupmoshës plus 80 vjeç e në vijim, në mënyrë që të kemi sa më shpejt vaksinimin. Kjo është një vaksinë e cila do të përdoret menjëherë sepse doza e dytë e kësaj vaksine merret 8-12 javë pas," vazhdoi Manastirliu.
Pasi morën dozën e parë,disa pre arsimtarëve thonë se ndihen më të sigurt.
"Na dhanë kartën që jemi vaksinuar, presim të lajmërohemi prap për një fazë tjetër. Deri tani s'kemi asnjë lloj shqetësimi, s'kam dyshuar asnjëherë sepse ne mësuesit s'duhet të dyshojmë asnjëherë mbi një proces të tillë shumë të rëndësishëm," tha një mësuese.
"Është zgjedhje personale, s'kemi pasur pikën e dyshimit," tha një tjetër.
Në të gjithë vendin janë rreth 30 mijë mësues dhe pedagogë të cilët do të vaksinohen nga dozat e AstraZeneca, e pas tyre fushata “Shqipëria Buzëqesh” do të përfshijë një grup më të madh qytetarësh.