Pas kërkesës së bashkisë për të liruar godinën, Sali Shehu kalon natën në seli

Për të shmangur një ngjarje si shembja e teatrit kombëtar, kreu i FRD-së Sali Shehu së bashku me nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili kanë qëndruar në godinën e kësaj force politike gjatë gjithë natës.

Pavarësisht njoftimit të bashkisë e cila paralajmëronte se do të ndërhynte për lirimin e ndërtesës, këtë të shtunë Shehu u shpreh i bindur se ligji do të veprojë.

"Gjykatat, shteti, gjithçka të lëvizin në kohën  e duhur, në mënyrën e duhur, në përputhje me procedurat për të bërë çdo gjë në përputhje me aktet, me Kushtetutën dhe me rregullat e sistemit ligjor. Kjo nuk është çështje rezistence. Ne jemi ne shtëpinë tonë dhe vazhdojmë fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021," tha  Shehu.

Përplasja politike është shoqëruar me vendimin e policisë për të nisur procedimin penal për dy persona.

Agim Hoxhaj, 55 vjeç dhe Afrim Sufa 46 vjeç janë proceduar me akuzën se kanë hyrë të paautorizuar në një godinë, duke kundërshtuar punonjësit që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të cilët kanë qenë në ruajtje të objektit.

Punohet për kapjen e shoqërimin e tyre.

Shkak për këtë vendim është bërë konflikti deri fizik kur presidenti Meta kërkoi lejimin e FRD të qëndrojë në godinë dhe këtë procedim Sali Shehu e konsideron politik.

"Kanë kërkuar të futen në ndërtesën e tyre, në shtëpinë e tyre dhe nuk ishin një urdhër të shkruar që të mos futen në këtë ndërtesë për arsye të caktuara sipas urdhrit të dhënë. Prandaj çdo akt i ndërmarrë për këtë gjë është jashtë kontureve të ligjit, është jashtë sensit që parashikon ligji penal," vazhdoi Shehu.

Bashkia e Tiranës i kërkoi Frymës së Re Demokratike lirimin e godinës në të cilën ka zyrat vetëm një javë pas nënshkrimit të koalicionit me Partinë Demokratike.