Të verbërve u marrin paratë, Shoqata: Bashkitë po shantazhojnë personat me aftësi të kufizuar

Në Shqipëri të verbërve u mohohet e drejta financiare që u njihet me ligj. Rreth 15 mijë persona nuk kanë marrë detyrimet e prapambetura që ua njeh statusi i personave me aftësi të kufzuar. Ata thonë se janë shantazhuar nga bashkitë dhe nuk gjejnë zgjidhje as nga Ministria e Shëndetësisë .

Detyrimet e prapambetura për personat me aftësi të kufizuar gjatë periudhës 2005-2010 i ka detyruar këta të fundit t’i drejtohen Ministrisë së sShëndetësisë për të kërkuar një zgjidhje.

Rreth 15 mijë të verbër i janë drejtuar gjykatës për të përfituar indeksimin e pensionit, por meegjithëse drejtësia i ka dhënë të drejtë, lekët nuk kanë kaluar në llogarinë e tyre.  

Në takimin e fundit mes dy palëve është lënë e hapur që çështja do të shqyrtohet në ditët në vijim.

"U pyetëm nga drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, evidentuam problematikat që kishim dhe ajo që ra në sy ishte pranimi i këtyre detyrimeve të prapambetura por nuk gjendet gjuha e përbashkët sesi mund të merren këto para".

Përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së të Verbërve ndër të tjera thotë se personat me aftësi të kufizuar janë shantazhuar nga bashkitë për të mos ndjekur rrugën ligjore.

"Ushtrohet presion mbi qytetarë të varfër dhe të paditur të aftësisë së kufizuar, të cilëve u thuhet se nëse do të ngrini padi do tu heqin  statusin. Kjo ka ndodhur në bashkinë e Tiranës, Pogradecit, sidomos në bashkinë e Korçës ku kryetari i bashkisë së Korçës ka dhënë urdhër të mos u jepen vërtetime personave me aftësi të kufizuar për të vazhduar gjyqin."

Të martën pritet të ketë një komunikim tjetër mes personave me aftësi të kufizuar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por nëse problemi nuk merr zgjidhje, ata thonë se mbetet vetëm ti drejtohen Strasburgut.