Dropull, klarinisti gjendet i pajetë në garazh, ja dyshimet e para

Një 50 vjeçar, me profesion klarinist, është gjetur i pajetë pasditen e sotme në garazhin e banesës së tij në Dropull. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Goranxi të kësaj bashkie.

Viktima është identifikuar si shtetasi Vasil Konomi, 50 vjeç, nga fshati Bulo por jetonte ne Goranxi.

Muzikanti dyshohet se është helmuar nga gazrat e makinës. Konomi është gjetur i pajetë në garazh, pranë makinës së tij, e cila qëndronte e ndezur prej më shumë se 16 orësh.

Paraprakisht dyshohet se Konomi mund të ketë qenë i dehur dhe ta ketë zënë gjumi pranë mjetit të tij, ose të jetë rrëzuar.

Qëndrimi i gjatë pranë makinës mund të ketë bërë që 50-vjeçari të ketë ndërruar jetë.

Por, gjithsesi, gjithçka mbetet për tu verifikuar. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe disa persona, familjarë të viktimës, për të sqaruar rrethanat.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 16:00, njoftohemi se në fshatin Goranxi, Bashkia Dropull, në garazh pranë mjetit të tij, është gjetur i pa jetë shtetasi V. K., rreth 50 vjeç, banues në Goranxi, Dropull.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë. Trupi i shtetasit V. K. u transportua në morgun e Spitalit Rajonal Gjirokastër për të kryer ekspertizën mjekoligjore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.