Sulm kundërshtarëve politikë, Strategjia elektorale e Ramës drejt 25 prillit: "Kalastrena...faqore ...kapsolla e dhëndër

Batutat me kundërshtarët politikë për të shmangur tensionet brenda PS për renditjen në listë, kjo është strategjia elektorale e liderit të PS.

Në një komunikim online me kandidatët për deputetë të mazhorancës, paraditen e sotme, kryesocialisti Edi Rama ka treguar se objektivi i PS për 25 prillin është sulmi ndaj emrave të PD dhe LSI-së.

Lexoni: “Në sulm të gjithë..” Rama porosit skuadrën e PS: Vraponi dhe pasoni topin, ndalni golat off side të LSI

Pa dallim, Rama ka ironizuar kundërshtarët duke shtuar se ata kanë frikë nga 25 prilli.

Nëse jo ne, kush mund ta çojë këtë vend përpara përveç nesh? Cili shqiptar që nuk e ka lënë mendja, nuk ka lënë veshët dhe sytë peng me fajde te Monika dhe pa gajde të Saliu dhe Iliri, mund të shohë dallimin e madh mes nesh dhe atyre që sot kanë nxjerrë përpara një dhëndër.

Janë nisur për dasmë me kalastrenat e Gon Dukës, me faqoren e Dash Shehit, me kapsollat e Fatmir Mediu, me kecat e Tym Idrizit, me vetullat e Vangjel Dules, me kafetat e Salianjit, preçet e Dritanit, peshqirin e Xhelalit, simiten e Xhaferrit të Durrësit, fuçitë e rakisë së Leskos së Vlorës dhe gërnetën e Mesilës. Kurrë në historinë e saj Shqipëria nuk e ka parë këtë taborë krushqish që kanë frikë deri në 25 prill. Grida krushka nga Kavaja”, ka thënë Rama.

Me anë të fotove Rama vë përballë ekipin e tij me figurat e rëndësishme të opozitës, por ndryshe nga socialistët që ishin me foto zyrtare, zyra e komunikimit ishte kujdesur që pozicionet e kundërshtarëve të jenë nga më të ndryshme.

Edhe këtë radhë, Edi Rama amniston liderin e PD, por në “lojën” e tij politike kishte përfshirë Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin.

"Zgjidhet ky për të mos zgjedhur këto" tha Rama ndërsa drejton gishtin tek ekrani i madh. (Shikoni foton)


"Me kë fiton Elbasani? Me arsimin apo filxhanin? " tha Rama ndërsa drejton gishtin tek ekrani i madh. (Shikoni foton)

Për reformën në drejtësi, shefi i mazhorancës sërish vendosi nën shënjestër ish aleatin e tij, Presidentin Ilir Meta.

"Mos më thoni që ky nuk është deputet, ky është kryedeputet. Etja e vazhdueshme për ta ndalur drejtësinë e re" tha Rama ndërsa drejton gishtin tek ekrani i madh. (Shikoni foton)

Edi Rama së bashku me ekipin e tij kërkon një mandat të tretë qeverisës.