Covid i mori jetën, Shërbimi Neurovaskular në QSUT merr emrin e doktor Drini Dobit

Shërbimi Neurovaskular në QSUT merr emrin e doktor Drini Dobit, i cili humbi jetën nga Covid-19 në dhjetor të vitit të kaluar.

Në ceremoninë në nder dhe kujtim të dr. Drinit, i cili humbi jetën si pasojë e Covid19, ku merrnin pjesë familjarët, miqtë e ngushtë dhe kolegë, Manastirliu tha se doktor Drini la pas një familje të mrekullueshme dhe një emër që do të kujtohet gjithmonë.

“Dr. Drini nuk arriti dot ta fitonte betejën e tij të jetës. Edhe pse, për të thënë të vërtetën, ai ka fituar betejën më të madhe në jetë. Betejën për të patur dhe për të lënë pas një familje të mrekullueshme, me fëmijë të mrekullueshëm dhe për të lënë pas një emër, që do të kujtohet gjatë nga njerëzit e tij, nga kolegët e tij, por mbi të gjitha nga njerëzit që i ka shërbyer. Shërbimi Strok, post-Strok, që tashmë merr emrin e dr. Drinit është një shërbim i ri, siç ishte dr. Drini në fakt. Ky shërbim do të duhej të rritej me këtë staf, e ashtu dhe me të.”

E pranishme në ceremoni, ishte dhe bashkëshortja e dr. Drini Dobit, e cila shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i bëhet doktor Drinit.

“Kur mendoj se çfarë do të mendonte Drini dhe ajo që do të bënte është një mirënjohje pa fund dhe do të gjente një mënyrë si të shprehte mirënjohjen për të gjithë Ju. Ju falenderoj shumë të gjithëve. Mendoj që Drini është kujdesur shumë për këtë shërbim. E donte shumë. Do vazhdojë të kujdeset në mënyrën e tij, duke qenë i mbarë me emrin e tij në këtë shërbim, duke sjellë mbarësi.”

Në ceremoni merrnin pjesë dhe kolegë të dr. Drinit, të cilët shprehën vlerësime për figurën e doktorit, si një njëri i rrallë.