Vlorë/ Zbardhet vrasja e dy vëllezërve në '98-ën, policia në ndjekje të autorit 23 vite pas krimit
23 vjet pas vrasjes së vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho në Vlorë, prokuroria ka arritur që të zbulojë autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë.
Gerti Selimaj, aktualisht 47-vjeç, akuzohet se ka qëlluar me 22 nëntor të vitit 1998 vëllezërit Hasho në lagjen "Pavarësia" në Vlorë.
Për dy dekada, kjo ngjarje mbeti e pazbardhur, ndërsa tanimë burimet thonë se Selimaj është lokalizuar, dhe pritet arrestimi i tij.
Dyshohet se në atë kohë, gjithçka kishte nisur me plagosjen e një të afërmi të Selimajt në Vlorë në 1998.
Të plagosurin e kishin dërguar në spital vëllezërit Hasho, ndërsa Gerti Selimaj u kishte kërkuar llogari vëllezërve për zhdukjen e një arme nga vendi i ngjarjes, dhe pikërisht për këto dyshime ata kishin bërë edhe një sherr në spital.
Pak ditë pas kësaj përplasje, vëllezërit Hasho u vranë në qytet, ndërsa vrasja kishte mbetur pa autor deri tani.
