Tabaku: Rama taksoi shtresën e mesme, uli taksat për oligarkët, taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin

Gjatë konferencës për shtyp me kryetarin e PD Lulzim Basha dhe ekspertin e ekonomisë, Dorian Teliti, ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku u shpreh se sistemi i taksimit i kryeministri Rama ka qenë gjobëvënës dhe klientelist.

Sipas Tabakut, Rama takson më fort të varfërit dhe ata që punojnë ndershmërisht, ndërsa shtoi se uli taksat për oligarkët.

Tabaku tha se taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin si dhe sjell në buxhetin e shtetit 450 mln euro më shumë.

“Rama taksoi shtresën e mesme, uli taksat për oligarkët. Paketën e ndihmës e përdorën klientët e Ramës, jo biznesi i mesëm e i vogël. Ligjet speciale, vetëm padrejtësi dhe pabarazi shkaktuan. Ne, taksë e sheshtë që ka në fokus familjen dhe individin. Taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin. Taksa e sheshtë 9%, drejtësi për shtresën e mesme. Vetëm nga taksa e sheshtë në buxhet do të arkëtohen rreth 450 milion euro më shumë.

Heqja e disa taksave do të ketë efekte në buxhet, por nuk tejkalojnë të ardhurat shtesë nga taksa e sheshtë. Të gjitha efektet janë të përllogaritura dhe janë parashikuar në programin tonë. Njerëzit e thjeshtë janë taksuar dhe mbi taksuar. Ky është premtimi më i madh i Bashës, eliminimi i çdo favori që iu janë bërë bizneseve. Do ti trajtojmë të gjithë taksapaguesit në mënyrë të barabartë", - u shpreh Tabaku.